Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim në Kosovë, Nenad Rashiq, ka bërë thirrje për respektimin e të drejtave të komunitetit serb sa i përket përdorimit të simbolit të tyre.
Ai tha se përdorimi i simboleve të tyre nga serbët “nuk përbën kërcënim ndaj identitetit të askujt, por është dëshmi e përkushtimit të Kosovës si një shoqëri demokratike e bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”.
Kjo deklaratë e Rashiqit erdhi pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të anuluar vendimin e Komunës së Graçanicës, e cila kishte lejuar shfaqjen e flamurit të Serbisë për nder të Vidovdanit më 2024.
Në arsyetimin e gjykatës thuhet se komuna ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi ka miratuar një vendim për shfaqjen e flamurit të Serbisë më 28 qershor – ditë që nuk është e përcaktuar si festë zyrtare në Kosovë.
“Lejimi i shfaqjes së flamurit të një shteti tjetër [në këtë rast Serbisë], përveç rasteve të parashikuara me ligj, mund të kuptohet si një akt simbolik i sovranitetit të dyfishtë ose i vetëorganizimit politik, gjë që bie ndesh me rendin kushtetues”, u tha në vendimin e gjykatës.
Gjykata gjithashtu theksoi se vendimi i Komunës së Graçanicës “rrezikon rëndë rendin dhe qetësinë publike si dhe bashkëjetesën në Kosovë”, veçanërisht në kontekstin e ndjeshmërisë etnike dhe politike.
Komuna e Graçanicës, e udhëhequr nga Ljiljana Shubariq nga radhët e Listës Serbe, ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin e Themelores.
Ministri në detyrë, Nenad Rashiq, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve kompetente në Kosovë që të respektojnë në tërësi garancitë kushtetuese dhe ligjore “pa presion politik, diskriminim apo pengesa administrative”.
“Në interes të paqes dhe bashkëjetesës, presim një qasje konstruktive nga të gjithë akterët dhe zbatim të qëndrueshëm të ligjit”, deklaroi Rashiq.
Në këtë kontekst, Rashiq rikujtoi se, sipas nenit 58 të Kushtetutës së Kosovës, të gjitha komunitetet dhe anëtarët e tyre kanë të drejtë të “shprehin lirshëm, të ruajnë dhe zhvillojnë kulturën dhe identitetin e tyre”, gjë që përfshin edhe të drejtën për të ruajtur gjuhën, fenë, traditat dhe simbolet e tyre.
Po ashtu, neni 59 i Kushtetutës u garanton të gjitha komuniteteve të drejtën për të përdorur dhe shfaqur simbolet e tyre kombëtare, për të ruajtur e zhvilluar kulturën e tyre dhe për të pasur qasje në arsim dhe informim në gjuhën e tyre amtare.
“Sistemi gjyqësor në Kosovë nuk ka të drejtë të ndalojë në thelb përdorimin e flamurit apo simboleve të tjera kombëtare të komunitetit serb, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, që garantojnë këto të drejta”, deklaroi Rashiq, i cili është edhe kryetar i partisë Liria, Drejtësia dhe Mbijetesa, e cila fitoi një vend në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt.