– Dujarric tha se “partnerët që mbështesin grumbullimin e mbeturinave të ngurta paralajmërojnë se vetëm gjysma e flotës së automjeteve të tyre është funksionale”
OKB-ja ka paralajmëruar se rreziqet për shëndetin publik po rriten në Rripin e Gazës, pasi grumbullimi i mbeturinave të ngurta po pengohet nga kufizimet izraelite, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha në një konferencë për media se “partnerët që mbështesin grumbullimin e mbeturinave të ngurta paralajmërojnë se vetëm gjysma e flotës së automjeteve të tyre është funksionale”.
“Kjo ndodh për shkak të kufizimeve të vazhdueshme izraelite ndaj hyrjes së sasive të mjaftueshme të vajit të motorit dhe pjesëve rezervë të nevojshme për të mbajtur automjetet në funksion. Si rezultat, rreziqet për shëndetin publik po rriten, pasi mund të grumbullohet vetëm një pjesë e mbeturinave”, tha ai.
“Një gamë më e gjerë furnizimesh kritike duhet të lejohet të hyjë në Gaza, me më pak burokraci dhe me më shumë pika kufitare të hapura për dërgesat. Financimi humanitar është gjithashtu thelbësor, veçanërisht pasi njerëzit po përballen me dimrin e tyre të katërt në kushte të rënda zhvendosjeje”, shtoi ai.
Lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza, e nisur me mbështetjen e SHBA-së në tetor të vitit 2023, ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 74.000 personave dhe plagosjen e mbi 175.000 të tjerëve, ndërsa ka shkatërruar 90 për qind të infrastrukturës civile.
Pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që nga 10 tetori 2025, Izraeli ka vazhduar bombardimet me artileri, të shtënat me armë zjarri dhe shembjen e strukturave palestineze, duke zgjeruar shkatërrimet.