Elon Musk, donatori më i madh individual i republikanëve në këto zgjedhje, qëndroi për orë të tëra në heshtje ndërsa demokratët fitonin shumicën në të dyja dhomat e Kongresit amerikan. Kur më në fund reagoi në platformën X, ai bëri shaka me “lazerët e tij hapësinorë” dhe qendrat e të dhënave.
Njeriu më i pasur në botë publikoi dy mesazhe të shkurtra në rrjetin e tij social X gjatë natës pas zgjedhjeve.
“Qendrat e të dhënave në hapësirë aktualisht duken mjaft tërheqëse”, shkroi Musk në postimin e parë.
Pak më vonë, ai publikoi edhe një mesazh tjetër: “Duket se lazerët e mi hapësinorë për ndërhyrje në zgjedhje këtë herë nuk funksionuan”.
Sipas Axios, postimi i dytë u publikua pak para orës 01:15 sipas kohës së Bregut Lindor të SHBA-së, përkatësisht rreth orës 07:15 sipas kohës sonë.
Postimi i dytë i referohet mesazheve të Musk që NPR i kishte publikuar në shtator. Në to, Musk ishte mburrur se kishte ndihmuar Donald Trumpin të fitonte zgjedhjet e vitit 2024 përmes “lazerëve nga hapësira”.
Kur iu kërkua të sqaronte deklaratën, ai shkroi se kishte 10 mijë lazerë në hapësirë. NPR e interpretoi këtë si një aludim për satelitët e kompanisë së tij SpaceX.
Ndërkohë, sipas Axios, postimi i parë lidhej me fitoren e demokrates Gina Hinojosa ndaj republikanit Greg Abbott në garën për guvernator të Teksasit.
Hinojosa kundërshton ndërtimin e qendrave të të dhënave. Konsumi i energjisë elektrike dhe ndikimi i këtyre qendrave në mjedis ishin ndër temat e diskutuara gjatë fushatës zgjedhore.
Musk më herët kishte bashkuar kompaninë SpaceX me kompaninë e tij të inteligjencës artificiale xAI, me synimin për të ndërtuar qendra të të dhënave në orbitë.
Humbja më e madhe në Teksas
Sipas një analize të raporteve federale të publikuar nga Newsweek, Musk dhuroi më shumë se 445 milionë dollarë për kandidatët dhe komitetet republikane gjatë këtyre zgjedhjeve, duke u bërë donatori më i madh individual.
Shumën më të madhe, mbi 200 milionë dollarë, ai e investoi në garën për Senatin amerikan në Teksas, ku demokrati James Talarico mposhti republikanin Ken Paxton.
Talarico u bë demokrati i parë që fitoi një vend në Senat nga Teksasi që nga viti 1988.
Sipas NBC News, gjatë fjalimit të fitores, Talarico e krahasoi fushatën e tij me historinë biblike të Davidit dhe Goliatit. Në këtë krahasim, Goliati përfaqësohej nga Musk, Trump dhe establishmenti politik në Uashington.
Disa ditë para zgjedhjeve, Musk kishte paralajmëruar në platformën X se nëse demokratët merrnin kontrollin e Kongresit, ata do të “zbatonin planin për t’i dhënë fund demokracisë në Amerikë”.
Në ditën e zgjedhjeve, ai u bëri thirrje qytetarëve të votonin për republikanët.
Demokratët kishin paralajmëruar më herët nisjen e hetimeve lidhur me aktivitetin e Musk në krye të Departamentit të Efikasitetit Qeveritar (DOGE), si dhe kontratat e kompanive të tij me qeverinë federale.
Musk iu ishte përgjigjur në tetor me shprehjen: “Kush jeton nga shpata, nga shpata do të vdesë”.
