Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin për Kosovën ku vlerëson se Kosova nuk ka shënuar progres në funksionimin e gjyqësorit, duke theksuar se ndikimi i interesave politike dhe ekonomike vazhdon të jetë pengesë serioze për pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.
Në raportin për Kosovën për vitin 2026, Komisioni Evropian konstaton se vendi ndodhet ndërmjet fazës së hershme dhe një niveli të caktuar të përgatitjes për zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe standardeve evropiane në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore.
Sipas raportit, ndikimi i papërshtatshëm nga brenda sistemit dhe nga faktorë të jashtëm, përfshirë interesat politike dhe ekonomike, jo vetëm që vazhdon të jetë pengesë e rëndësishme për pavarësinë e gjyqësorit, por në disa aspekte është intensifikuar.
