Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se janë identifikuar edhe tre persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, pas pranimit të raporteve të reja të ADN-së.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazliun dhe Ali (Islam) Halitin, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.
Sipas tij, identifikimi i tyre është bërë mbi bazën e raporteve të reja të ADN-së, pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë.
Kurti njoftoi se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, së bashku me institucionet e tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare.
Ademi, Fazliu dhe Haliti ishin rrëmbyer nga forcat e armatosura serbe në prillin e vitit 1999 dhe ishin zhdukur me dhunë.
Kryeministri Kurti u ka shprehur ngushëllime familjeve të tyre, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.
Ai ka theksuar gjithashtu angazhimin për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, duke e akuzuar atë se vazhdon t’i mohojë dhe fshehë ato, ndërsa klasifikon dhe mbyll dokumentet e arkivat, si dhe glorifikon autorët e gjenocidit.
