Programi bërthamor nuk u shkatërrua? Agjencia e OKB-së thotë se nuk ka rritje të rrezatimit pas sulmeve ajrore amerikane në Iran

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) ka deklaruar se, deri më tani, nuk është regjistruar asnjë rritje e niveleve të rrezatimit jashtë lokacioneve të goditura nga sulmet ajrore amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në Fordow, Isfahan dhe Natanz.

“IAEA mund të konfirmojë se pas sulmeve në tre lokacione bërthamore në Iran – përfshirë Fordow – nuk është raportuar deri tani ndonjë rritje e rrezatimit jashtë zonave të goditura,” thuhet në deklaratën e Agjencisë në rrjetet sociale. Ata shtuan se do të japin vlerësime shtesë sapo të disponohen më shumë informacione.

Njëkohësisht, autoritetet iraniane po përpiqen të qetësojnë opinionin publik duke deklaruar se nuk ka rrezik për shëndetin e qytetarëve. Reza Kardan, zëvendësdrejtor i Organizatës për Energji Atomike të Iranit dhe shef i Qendrës Kombëtare për Sigurinë e Sistemeve Bërthamore, theksoi: “Nuk është vërejtur asnjë gjurmë kontaminimi radioaktiv jashtë lokacioneve të goditura.”

“Janë marrë masa dhe janë përgatitur plane për të mbrojtur sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve. Pavarësisht aktit kriminal të këtij mëngjesi, falë këtyre masave, nuk është regjistruar asnjë kontaminim,” tha ai për agjencinë iraniane të lajmeve IRNA.

“Qytetarët mund të vazhdojnë jetën normalisht në zonat përreth pa asnjë shqetësim,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u shprehën triumfalisht për sulmet, duke pohuar se kapaciteti bërthamor i Iranit është “plotësisht i shkatërruar”. Megjithatë, realiteti është shumë më kompleks.

Objektet kryesore iraniane, si Fordow – një qendër thelbësore për pasurimin e uraniumit – sipas zyrtarëve iranianë kanë pësuar vetëm dëmtime sipërfaqësore. Raportet fillestare nga Irani dhe nga rajoni i Gjirit gjithashtu sugjerojnë se nuk ka pasur rrjedhje të materialeve radioaktive, gjë që tregon se rezerva e uraniumit të pasuruar mund të jetë zhvendosur para sulmeve.

Edhe nëse tri objektivat janë shkatërruar tërësisht, njohuritë dhe kapaciteti teknik i Iranit për pasurimin e uraniumit mbeten të paprekura, çka do t’i mundësonte Teheranit të rindërtojë shpejt programin e tij bërthamor. Gjithashtu ekziston mundësia e ekzistencës së objekteve sekrete që nuk janë goditur.

Megjithatë, nëse vërtetohen pretendimet amerikane se sulmet ishin një “sukses spektakolar ushtarak”, atëherë programi bërthamor iranian mund të jetë ngadalësuar për muaj apo edhe për vite të tëra.

Kategoritë
BotaLajme