Pas paralajmërimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti se nga institucionet e sigurisë kanë informacione që se ka përpjekje nga ana e pushtetit në Serbi, që nesër, ditën e Vidovdanit të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan, ka reaguar Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës ka thënë se janë marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë manifestimeve për “Vidovdan’.
Në një komunikatë për media, Policia ka bërë të ditur se janë ndërmarrë masat planifikuese për menaxhimin e situatës së sigurisë në vend.
“Lidhur me planet dhe masat operacionale të planifikuara për Vidovdan, përmes një takimi zyrtar të mbajtur sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, nga menaxhmenti i lartë janë shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që ishin pjesëmarrës në takim.
Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente” – thuhet në njoftim.
Policia ka apeluar qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë dhe të shmangin provokimet e mundshme.
“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm.
Po ashtu, me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve, pjesëmarrësve në trafik”.
Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë ka thënë se nga institucionet e sigurisë kanë informacione që se ka përpjekje nga ana e pushtetit në Serbi, që nesër, ditën e Vidovdanit të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan.
Kurti tha se grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Herecegovina janë organizuar që të vijnë në Kosovë nesër. Kurti tha se pushteti i Vuçiqit në Serbi do të tentojë ta përdorë festën e Vidovdanit për të nxitur incidente, në mënyrë që ta zhvendosë vëmendjen nga protestat anti-regjim në Beograd.
Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të mos lejojnë të shfrytëzohen për qëllime politike.“Në fundjavë shënohet dita e Vidovdanit e cila ndonëse ditë me karakter fetar vazhdimisht është përcjellë me retorikë nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë. Beogradi zyrtar që po përballet gjithandej me protesta të studentëve dhe jo vetëm, po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen diku tjetër, e në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës antiregjim dhe antikombëtare në Serbi, pushteti atje mund të shfrytëzojë elemente desktrukive për të nxitur incidente në Gazimestan. Sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe të inteligjencës kemi informata se ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv, prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht grupe të tilla kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb që të respektojnë ligjin dhe të mos lejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. U bëjmë thirrje edhe bashkatdhetarëve tanë që të mos bien pre e provokimeve nga kushdoqoftë në ditën e nesërme. Tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje me ligjin”, tha Kurti. /Reporteri.net/