Presidentja Osmani në fjalën e saj para të pranishmëve tha se Kosova ka sot edhe një hero, i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e gjithë qytetarëve të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur “Hero të Kosovës”, policin e rënë gjatë detyrës gjatë orëve të para të mëngjesit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, pas një sulmi të armatosur në drejtim të njësitit policor, raporton Anadolu.
Në mbledhjen komemorative në nderim të policit Afrim Bunjaku, presidentja Osmani i ka ndarë çmimin “Hero i Kosovës” familjes së policit e cila ishte prezente në këtë mbledhje bashkë me kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, ambasadorë të vendeve të huaja, zyrtarë policorë dhe qytetarë.
Presidentja Osmani në fjalën e saj para të pranishmëve tha se Kosova ka sot edhe një hero, i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Afrim Bunjaku sikurse edhe pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës dje u sfiduan nga banda terroriste të dirigjuara nga Beogradi dhe bënë atë që duhet, rikthyen ligjin, integritetin territorial dhe sovranitetin tonë dhe vunë në vend dinjitetin”, theksoi Osmani.
Ajo tha se Afrimi na kujton se heronjtë nuk lindin por bëhen me veprat e tyre dhe se Republikën e Kosovës nuk ka kush ta ulë përderisa ka heronj si Afrimi. Pas fjalimit, presidentja i dorëzoi urdhërin post-mortem “Hero i Kosovës” dy djemve të policit të rënë, Afrim Bunjakut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nga dita e djeshme asgjë nuk mund të jetë më njësoj, ngase faktet dolën në shesh.
“Në sytë tanë dhe të bashkësisë ndërkombëtare si dhe në sytë e secilit që ka kurajo dhe vullnet për të parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë. Ky reagim profesional dhe i matur i institucioneve të Kosovës dje ishte në përputhje me vet natyrën e shtetit tonë demokratik dhe properëndimor”, theksoi Kurti.
Polici Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra në orët e para të ditës së diel të 24 shtatorit nga një grup i armatosur rëndë në Banjskë të Zveçanit. Gjatë të njëjtës ditë, organet e rendit në Kosovë konfirmuan se edhe tre pjesëtarë të këtij grupi u vranë dhe gjashtë të tjerë u arrestuan, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
