Raportimi erdhi në mes të polemikave lidhur me një seri zbulimesh mediatike për paralajmërimet e inteligjencës që, sipas pretendimeve, Netanyahu kishte marrë përpara sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka kërkuar presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed, gjatë një takimi sekret të dielën, të mohojë një raport sipas të cilit ai e kishte paralajmëruar Netanyahun për një sulm të afërt të Hamasit para 7 tetorit të vitit 2023, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës izraelite Haaretz, e cila citoi burime të paidentifikuara, Netanyahu i kërkoi bin Zayed-it të mohonte raportimet lidhur me bisedën e tyre telefonike dhe detajet rreth ngjarjeve para 7 tetorit, të cilat “mund ta vënë atë në siklet”.
Kryeministri izraelit gjithashtu i kërkoi presidentit të Emirateve atë që një burim e përshkroi si “mbështetje morale”.
Sipas dy personave të informuar për udhëtimin, Netanyahu zhvilloi një takim njëorësh me bin Zayed-in.
Autoritetet izraelite dhe ato të Emirateve nuk e kishin konfirmuar zyrtarisht vizitën e raportuar.
Raportimi erdhi në mes të polemikave lidhur me një seri zbulimesh mediatike për paralajmërimet e inteligjencës që, sipas pretendimeve, Netanyahu kishte marrë përpara sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023.
Të premten, The New York Times raportoi se Netanyahu kishte marrë një paralajmërim konfidencial nga presidenti i Emirateve para sulmit të Hamasit, por nuk ua kishte përcjellë atë drejtuesve të shërbimeve të sigurisë së Izraelit.
Netanyahu ka drejtuar qeverinë aktuale të Izraelit që nga fundi i vitit 2022. Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Që nga 8 tetori i vitit 2023, lufta e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 74.000 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 175.000 të tjerë, shumica e tyre gra dhe fëmijë, ndërsa ka dëmtuar 90 për qind të infrastrukturës së territorit.
