Përplasje mes dy tankerëve në ngushticën e Hormuzit: Zjarri dhe tymi shihen nga kilometra larg

Tankerët Front Eagle dhe Adalynn janë përplasur në ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar zjarr të madh dhe evakuimin e ekuipazheve, të cilët tani janë në siguri.

Të dy tankerët, me kapacitet të përgjithshëm prej mbi 460.000 tonësh naftë të papërpunuar, u përplasën për shkak të ndërprerjes së sinjaleve GPS në të dyja anijet.

Pas përplasjes, në bordin e tankerit Adalynn shpërtheu një zjarr i madh, ndërsa raportohet se anija ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Garda Kombëtare e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi më herët se ka shpëtuar 24 marinarë nga tankeri i përfshirë nga flakët.

Të gjitha anijet në rajon janë njoftuar për rritjen e ndërhyrjeve në sinjalet GPS, gjë që lidhet me zhvillimet ushtarake në Iran pas përshkallëzimit të luftës me Izraelin.

Luftë elektronike

Në hapësirën ajrore mbi ngushticën e Hormuzit është shtuar ndjeshëm ndërhyrja në sinjalet GPS; më shumë se 900 anije kanë raportuar ndërprerje në navigim.

Aplikacionet që monitorojnë ndërprerjet e sinjaleve GPS gjatë 24 orëve të fundit raportojnë se ndërhyrjet në këtë rajon janë shtuar ndjeshëm dhe i atribuohen mjeteve të luftës elektronike.

Sinjalet e navigimit për më shumë se 900 anije në ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin Persik janë penguar, duke shkaktuar konfuzion serioz në trafikun detar.

Kategoritë
BotaLajme