Më 7 korrik 1999, Hüseyin Kutlu u caktua në Task Forcën e KFOR-it si shef i ekipit për asgjësimin e mjeteve shpërthyese në Dragash, ku humbi jetën më 22 shtator 1999 pas shpërthimit të një mortaje të luftës, derisa përpiqej ta çaktivizonte atë
Një ceremoni përkujtimore është mbajtur për rreshterin turk të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Hüseyin Kutlu, në 24 vjetorin e rënies së tij gjatë detyrës në territorin e Kosovës, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e mbajtur në selinë e KFOR-it në Prishtinë morën pjesë ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci, komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, nënsekretarja e Ambasadës së Türkiyes në Prishtinë, Şeyda Çimeli Aydın, Atasheu Ushtarak Çagdaş Akif Kahraman dhe shumë njerëz nga fushveprime të ndryshme të KFOR-it.
Derisa sekretarja Çimeli Aydın vendosi një kurorë lulesh në monumentin e rreshterit Hüseyin Kutlu, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje.
Në fjalën e tij në ceremoni, komandanti i KFOR-it Ristuccia falënderoi ushtarët turq që kanë shërbyer deri më tani në kuadër të KFOR-it për përpjekjet e tyre.
Ristuccia tha se rreshteri i lartë Kutlu bëri një sakrificë dhe u përpoq të shkatërronte bombën për të mbështetur operacionet e KFOR-it në rajonin e Dragashit.
“Rreshteri Kutlu, si shumë ushtarë, po përmbushte detyrën e tij për të siguruar paqen dhe sigurinë këtu në Kosovë”, tha ai.
Nënsekretarja Çimeli Aydın, nga ana tjetër, theksoi se prania e KFOR-it në Kosovë është e një rëndësie jetike për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
“Sakrifica e guximshme e nënoficerit Hüseyin Kutlu do të konsiderohet gjithmonë si një kontribut i madh në punën e KFOR-it. Si një anëtare e NATO-s, Türkiye do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur paqen dhe stabilitetin e Kosovës”, tha ajo.
Në anën tjetër, edhe pranë monumentit të Hüseyin Kutlu në Komunën e Dragashit është mbajtur një ceremoni përkujtimore.
Ambasadori i Türkiye-s në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, Ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Fikrim Damka dhe shumë të ftuar morën pjesë në ceremoninë në Dragash.
Kultu lindi në vitin 1963 në Eskişehir të Türkiye-s. Pasi u diplomua si rreshter shtabi nga Komanda e Shkollave Teknike të Forcave Ajrore Turke në vitin 1982, ai shërbeu në bazat kryesore të avionëve gjatë periudhës 1982 dhe 1994.
Më 7 korrik 1999 ai u caktua në Task Forcën e KFOR-it si shef i ekipit për asgjësimin e mjeteve shpërthyese në Dragash të rajonit të Prizrenit, ku humbi jetën më 22 shtator 1999 pas shpërthimit të një mortaje të luftës, derisa përpiqej ta çaktivizonte atë.
Kutlu ishte i martuar dhe la dy fëmijë. Familja e tij jeton në Eskişehir.