Projeksionet e para të referendumit në Zvicër: Shumica e votuesve refuzojnë përkufizimin e ri të neutralitetit

Projeksionet e para të referendumit në Zvicër: Shumica e votuesve refuzojnë përkufizimin e ri të neutralitetit

Qytetarët e Zvicrës pritet të refuzojnë propozimin për miratimin e një forme më kufizuese të neutralitetit, e cila do t’ia pamundësonte vendit vendosjen e sanksioneve ekonomike apo bashkëpunimin me NATO-n.

Sipas projeksioneve më të fundit të referendumit të publikuara nga televizioni publik zviceran SRF, më shumë se dy të tretat e qytetarëve kanë votuar kundër propozimit që një version i përcaktuar rreptësisht i neutralitetit të përfshihet në Kushtetutën e Zvicrës.

Edhe pse neutraliteti zviceran njihet ndërkombëtarisht që nga përfundimi i luftërave të Napoleonit në vitin 1815, mënyra se si qeveria e zbaton atë nuk është përcaktuar në mënyrë të detajuar.

Partia Popullore Zvicerane (SVP) e krahut të djathtë ka deklaruar se pozicioni tradicional i Zvicrës u cenua pasi Berna vendosi sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Fushata financoi vendosjen e posterëve në mbarë vendin, të cilët para votimit u bënin thirrje qytetarëve të votonin nën sloganin “Jo luftës, po neutralitetit”, të shoqëruar me imazhe të pëllumbave të bardhë të paqes.

Megjithatë, sondazhet e opinionit publik sugjeruan se votuesit do ta refuzonin propozimin. Një nga sondazhet më të fundit tregonte se 68 për qind ishin kundër dhe 31 për qind në favor.

Fushata kërkon që Kushtetuta të përcaktojë se Zvicra nuk mund të anëtarësohet apo të bashkëpunojë me asnjë aleancë ushtarake ose të mbrojtjes, përveçse në rast se sulmohet. Gjithashtu, vendi do të duhej të përmbahej nga pjesëmarrja në çdo lloj sanksioni, përveç atyre të miratuara nga Kombet e Bashkuara.

Mbështetësit e propozimit argumentojnë se neutraliteti zviceran i ka shërbyer mirë vendit në të kaluarën, duke e mbajtur atë jashtë të dyja luftërave botërore, si dhe i mundëson Bernës të ofrojë “shërbimet e saj të mira” dhe të ndihmojë në negociatat e paqes mes palëve në konflikt.

“Zvicra nuk ka pasur luftë për 200 vjet, sepse është vazhdimisht e armatosur dhe neutrale”, deklaroi Christoph Blocher, miliarder, biznesmen dhe mbështetës i SVP-së.

Përveç SVP-së, shumica e partive politike dhe qeveria zvicerane e kundërshtojnë propozimin. Ministri i Jashtëm Ignazio Cassis ka deklaruar se një ndryshim i tillë do të dëmtonte sigurinë kombëtare dhe do ta pengonte Zvicrën të zhvillonte trajnime të përbashkëta me NATO-n.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova