Rusia po përpiqet, nëpërmjet veprimeve hibride, të dobësojë vullnetin e vendeve që vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, paralajmëroi Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, Alexus Grynkewich, në dëshminë e tij para parlamentarëve evropianë të hënën.
Sipas Grynkewich, Moska po përdor një gamë të gjerë veprimesh që bien në kuadër të luftës hibride, duke kërkuar të mbjellë dyshime, të rrisë presionin mbi qeveritë evropiane dhe, në fund të fundit, të ndikojë në vendosmërinë e tyre për të vazhduar mbështetjen e Kievit.
Ai theksoi se përgjigja ndaj një strategjie të tillë nuk duhet të jetë tërheqja, por ruajtja dhe forcimi i vullnetit politik për të mbështetur Ukrainën.
“Nëse ka një sulm hibrid ndaj vendit tuaj, forcimi i vullnetit për të mbështetur Ukrainën do t’u tregojë rusëve se strategjia e tyre nuk po funksionon dhe ndoshta do t’i bëjë ata të tërhiqen nga kjo strategji”, tha ai.
Komandanti suprem i NATO-s i vuri theks të veçantë gjithashtu çështjes së atribuimit të përgjegjësisë për sulmet hibride.
Ai u bëri thirrje shteteve anëtare që të emërojnë publikisht shtetin përgjegjës kur kanë prova të mjaftueshme dhe një shkallë të lartë sigurie në lidhje me origjinën e një sulmi.

