Është arritur marrëveshje mes Komunës së Prishtinës dhe Këshillit Grevist të Ndërmarrjes Publike “Pastrimi” për ndërprerjen e grevës së punëtorëve, të cilët kishin protestuar per disa ditë para objektit të komunës
Nënkryetari i Komunës, Florian Dushi, deklaroi se komuna ka qenë gjithmonë në mbështetje të punëtorëve dhe ka propozuar subvencionimin e pagave të tyre. Ai theksoi se pajtimi është arritur me punëtorët, por jo me menaxhmentin e ndërmarrjes, të cilin e akuzoi për përhapje të dezinformatave.
“Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë – ne i kemi mbështetur punëtorët dhe kemi insistuar që të gjendet një zgjidhje. Në disa seanca kemi propozuar subvencionimin e pagave që të mos cenohet paga e punëtorëve. Kemi pritur dhe takuar përfaqësuesit e tyre dhe i kemi marrë kërkesat e tyre seriozisht. Sot jemi pajtuar me punëtorët, por kjo nuk do të thotë se jemi pajtuar edhe me menaxhmentin e ndërmarrjes ‘Pastrimi’, i cili fatkeqësisht ka ndihmuar në përhapjen e dezinformatave. Është lënë kryeqyteti me mbeturina për shkak të kësaj situate,” tha Dushi.
Ai shtoi se është rënë dakord që çështja e pagesës për shërbimet nga janari deri në maj të adresohet në gjykatën kompetente. Po ashtu, është vendosur që mjetet e inkasuara nga komuna të transferohen në mënyrë urgjente te KRM “Pastrimi”, dhe lista e qytetarëve që kanë kryer pagesat të dorëzohet tek ndërmarrja, e cila do t’i pranojë ata si pagues të rregullt.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Sindikatës së “Pastrimit”, Shpend Qosa, deklaroi se kërkesat legjitime të punëtorëve janë pranuar dhe se mjetet e inkasuara pritet të transferohen nga nesër, gjë që do të mundësojë rifillimin e punës.
“Kërkesat tona, të cilat kanë qenë të drejta dhe legjitime, janë pranuar. Kemi marrë zotim nga nënkryetari që këto pika do të trajtohen dhe zgjidhen. Presim që mjetet e inkasuara të fillojnë të transferohen në llogarinë tonë nga nesër, dhe ne të rifillojmë menjëherë punën. U kërkojmë ndjesë qytetarëve që nuk kemi mundur ta kryejmë shërbimin dhe i ftojmë që pagesat për mbeturina t’i bëjnë te ndërmarrja ‘Pastrimi’. Në rast se këto zotime nuk realizohen, do të rikthehemi në protesta – dhe nuk e dimë si mund të përfundojnë ato,” theksoi Qosa.
Sindikalistët kanë paralajmëruar se nëse marrëveshja nuk respektohet, ata do të ndërmarrin masa të reja protestuese.