Pakistani dënon sulmin amerikan ndaj Iranit një ditë pasi nominoi Trumpin për Çmimin Nobel për Paqe

Pakistani ka shprehur “shqetësim serioz” për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në Azinë Perëndimore pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore në Iran, thuhet në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.

Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë pasi qeveria pakistaneze njoftoi nominimin e presidentit amerikan Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqe, si “mirënjohje për rolin e tij në parandalimin e konflikteve”.

Në një postim në platformën X, Ministria e Jashtme e Pakistanit shkruan se sulmet e SHBA “shkelin të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare” dhe se Irani ka të drejtë të mbrohet në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

“Përshkallëzimi i paprecedentë i tensioneve dhe dhunës, si pasojë e agresionit të vazhdueshëm kundër Iranit, është thellësisht shqetësues. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm do të ketë pasoja të rënda dhe të dëmshme për rajonin dhe më gjerë,” deklaroi Islamabadi.

Gjenerali Asim Munir, komandanti kryesor ushtarak i Pakistanit, ndodhej dje në Uashington, ku kishte vlerësuar presidentin Trump. Megjithatë, qeveria e tij tani e ka dënuar hapur veprimin ushtarak amerikan.

“Nënvizojmë domosdoshmërinë e respektimit të jetës dhe pasurisë së civilëve, si dhe nevojën për përfundimin e menjëhershëm të konfliktit. Të gjitha palët duhet të respektojnë të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht të drejtën humanitare,” përfundon deklarata, duke bërë thirrje për kthim në dialog dhe diplomaci, në përputhje me parimet dhe objektivat e Kartës së OKB-së.

Kategoritë
BotaLajme