Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka vlerësuar edhe një herë të padrejta masat që BE-ja ia pati vendosur Kosovës, derisa ka thënë se ka tendencë që ato tani po përdoren si kushtëzim për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ato masa duhej të hiqeshin moti, në fakt s’do duhej të vendoseshin kurrë sepse përkundër mospajtimeve që kanë ekzistuar mes Qeverisë dhe partnerëve të BE-së sa i përket 26 majit, Kosova ka vepruar brenda territorit të saj, nuk e ka pushtuar askënd, nuk ka përdorur dhunë dhe nuk e ka rrezikuar askënd që të meritonte masa të tilla të padrejta dhe jopropocionale”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka thënë se ajo çfarë është kërkuar nga Kosova për atë që e quanin deeskalim tashmë ka ndodhur dhe se masat veçse është dashur të hiqeshin sepse janë masa që në mënyrë të pa drejtë afektojnë negativisht jetën e qytetarëve nëpërmjet projekteve që janë bllokuar, e të cilat kryesisht i dedikohen komunave.
“Për fat të keq ato ende nuk janë larguar dhe pajtohem me ju se ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për ta kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja për të cilën ato janë vendosur në fillim. Një qasje të tillë e kam kundërshtuar edhe në samitin BE-Ballkan Perëndimor më 13 dhjetor sepse në fakt kjo logjika sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje dialogu do të ketë vetëm efekt negativ. Pra, në qoftë se dikush mendon të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes do të ketë vetëm efekt negativ”, ka thënë ajo, duke këmbëngulur edhe njëherë se masat duhet të hiqen sepse Kosova i ka plotësuar kërkesat e BE-së sa i përket deeskalimit.











