Osmani: Kosova e gatshme të marr hapin e radhës, integrimin e plotë në institucionet euroatlantike

Osmani pas takimit me von der Leyen tha se Kosova llogaritë në mbështetjen e saj për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) në të ardhmen e afërt

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim zyrtar presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, raporton Anadolu.

Presidentja Osmani pas takimit me von der Leyen tha se Kosova llogaritë në mbështetjen e saj për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) në të ardhmen e afërt në përputhje me qëllimin strategjik të BE-së për t’i hapur dyert për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Osmani tha se është e rëndësishme që në mbledhjen e dhjetorit të Këshillit të BE-së, blloku evropian ta avancojë edhe statusin e vendit kandidat të Kosovës në një proces të bazuar në merita, ndërsa Kosova do të sigurohet që qytetarët, bizneset dhe institucionet kosovare të përfitojnë nga qasja e hershme në tregun e BE-së.

“Kosova tashmë është gati që të marr hapin e radhës për të cilën po punon çdo ditë, integrimin e plotë në institucionet euroatlantike. Për ne e ardhmja në BE dhe në NATO nuk është vetëm qëllim, është motivi themelor që formëson veprimet e përditshme të institucioneve tona”, theksoi Osmani.

Presidentja kosovare tha se përgjatë takimit me presidenten e Këshillit të BE-së ka theksuar edhe nevojën për largimin e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës nga BE-ja.

Presidentja von der Leyen, në fjalën e saj, dënoi sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës për të cilin tha se është i papranueshëm, në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe se kryerësit duhet të sillen para drejtësisë.

Ajo tha se Kosova ka bërë një progres shumë të qëndrueshëm derisa përgëzoi për “punën e madhe dhe përpjekjet posaçërisht në fuqizimin e demokracisë”, por theksoi se rruga përpara drejtë BE-së për Kosovën është e lidhur me disa detyra, sikurse themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Gjitha këto gjëra, hapa përpara dhe suksese mund të ndodhin nëse Kosova dhe Serbia do t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Janë fusha të caktuara ku duhet të angazhohen dhe të bashkëpunojnë të dyja palët. Ftojmë edhe Kosovën që të nis procedurën për pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kurse Serbia duhet ta pranojë njohjen de fakto ndaj Kosovës”, theksoi von der Leyen.

Ajo përmendi edhe faktin se qytetarët e Kosovës nga 1 janari do të mund ta gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza në vendet e BE-së “si rezultat i një pune të madhe përgjatë vitesh”.

Pas takimit me Osmanin, von der Leyen është pritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa ajo pas qëndrimit paraprakisht në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, vizitën zyrtare katër-ditore në Ballkanin Perëndimor do ta vazhdojë në Serbi dhe më pas edhe në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Kategoritë
LajmeVendi