Miliarderi i akuzuar në Ukrainë për tradhti mori shtetësinë serbe dhe bleu një pronë në Kroaci

Miliarderi i akuzuar në Ukrainë për tradhti mori shtetësinë serbe dhe bleu një pronë në Kroaci

Vadim Vladislavoviç Novinski (63), miliarder dhe oligark ukrainas, i cili kërkohet nga autoritetet në Kiev për shkak të lidhjeve të dyshuara me Rusinë dhe akuzave për tradhti, së fundmi është bërë shtetas i Serbisë.

Pasuria e tij vlerësohet në rreth 1,2 deri në 1,4 miliardë dollarë. Novinski është me origjinë etnike ruse dhe ka lindur në territorin e Federatës së sotme Ruse, por më vonë mori shtetësinë ukrainase, ku edhe krijoi një pasuri të konsiderueshme.

Megjithatë, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e komplikoi situatën e Vadim Novinskit. Ai u detyrua të largohej pasi autoritetet ukrainase e akuzuan për tradhti dhe për veprimtari propaganduese në favor të Rusisë. Ndaj tij është lëshuar urdhër-arrest, por biznesmeni kontrovers, në përgjithësi, vazhdon të lëvizë pa shumë pengesa.

Siç raportoi në prill të këtij viti Radio Evropa e Lirë, Novinski ka blerë një pronë në Samobor, afër Zagrebit, ku edhe ka regjistruar vendbanimin. Pronën e bleu nga biznesmeni kroat Tomislav Horvatinçiç për 10 milionë euro, shkruan Nova.hr.

Novinski ka qenë më herët edhe deputet në Radën Supreme, parlamentin e Ukrainës, ndërsa ka qenë aktiv edhe në Kishën Ortodokse Ukrainase, për të cilën autoritetet në Kiev dyshojnë se mban lidhje të ngushta me Kishën Ortodokse Ruse dhe se vepron në interes të Rusisë.

Pikërisht lidhjet e tij me Rusinë i kushtuan Novinskit, i cili është etnikisht rus, përfshirjen në listën e personave të kërkuar për tradhti, si dhe vendosjen nën sanksione.

Në vitin 2017, ai u takua me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, pasi ishte i interesuar për bashkëpunim me kompaninë Brodotrogir. Ata u takuan sërish në vitin 2018, kur temë e bisedimeve ishte mundësia e një investimi të oligarkut ukrainas në grupin Uljanik, raporton Dnevnik.hr.

Kategoritë
LajmeRajoni
Reklamë: ABE Kosova