Gjatë kontrolleve në disa objekte në bregdetin malazez, të cilat përdoreshin nga shtetas rusë, policia ka gjetur rreth një milion euro, si dhe pajisje të tjera të teknologjisë informative (IT).
Kujtojmë se ata ishin arrestuar në aeroport teksa po përpiqeshin të hipnin në një fluturim për Tel Aviv, duke pasur me vete plot 19 valixhe dhe çanta me një sasi të madhe pajisjesh elektronike të destinuara për gjurmim dhe mbikëqyrje.
Siç raporton portali Vijesti.me, kontrollet janë kryer gjatë ditës së djeshme, ndërsa policia ka kontrolluar objekte në Budva dhe Tivar.
Më herët, atyre u ishin konfiskuar një gjurmues GPS me mikrofon, një detektor profesional i sinjaleve radio, kamera sigurie dhe pajisje për videombikëqyrje, komponentë kompjuterikë, pajisje memorjeje, kabllo dhe pajisje të tjera elektronike.
Ata janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale të kontrabandës dhe pastrimit të parave.
Përveç pajisjeve të dyshuara për spiunazh, të paketuara në valixhe dhe çanta, policia u ka konfiskuar edhe 26.210 euro dhe 1.150 shekelë izraelitë, si dhe disa barna, raporton Vijesti.me.

