Pas disa orësh tensionesh, përfaqësuesit e kombëtares së Irlandës dolën të shtunën në mbrëmje në një konferencë për media dhe konfirmuan se skuadra do të paraqitet në ndeshjen kundër Izraelit në kuadër të Ligës së Kombeve.
Megjithatë, futbollistët irlandezë kanë paralajmëruar disa veprime protestuese gjatë takimit. Drejtori ekzekutiv i Federatës Irlandeze të Futbollit, David Corral, deklaroi se lojtarët nuk ishin të kënaqur me rrethanat në të cilat ishin gjendur.
“Ishte e qartë se lojtarët nuk ndiheshin rehat në këtë ambient dhe përballë gjithë vëmendjes mediatike. Një nga kërkesat e tyre ishte që të mos përmbushnin detyrimet ndaj mediave”, tha Corral.
Sipas tij, futbollistët kanë kërkuar gjithashtu që gjatë ndeshjes të mbajnë shirita të zinj në kujtim të viktimave të gjenocidit në Gaza, ndërsa kanë paralajmëruar se të ardhurat nga dy ndeshjet kundër Izraelit do t’i dhurojnë për Gazën.
Corral theksoi se qëndrimi i federatës që nga fillimi ka qenë që ndeshja të zhvillohet.
“Synimi ynë ka qenë gjithmonë të dalim në fushë dhe të luajmë. Bordi drejtues, i cili është përgjegjës për vendimin, shqyrtoi të gjitha skenarët e mundshëm. Kemi zhvilluar bisedime të gjata gjatë gjithë verës dhe në fund ky ishte vendimi i federatës”, deklaroi ai.
Ai shtoi se federata e kupton pozicionin e futbollistëve dhe pasojat e vendimeve të tyre.
“Të gjithë i kuptojmë pasojat për lojtarët dhe synimi ynë ishte të respektonim vendimet e tyre. Kjo është një situatë e vështirë për të gjithë.”
Kombëtarja e Irlandës ka paralajmëruar edhe veprime konkrete para fillimit të ndeshjes.
“Nuk do të ketë shtrëngim duarsh. Nuk do të shkëmbejmë flamuj dhe as nuk do të bëjmë fotografi të përbashkët”, konfirmoi Corral.
Ndeshja mes Irlandës dhe Izraelit është paraparë të zhvillohet të dielën në kuadër të Ligës së Kombeve.

