Britanikët publikojnë detajet: Pesë persona arrestohen për planifikimin e një sulmi terrorist ndaj bazës ku ndodhen ushtarë amerikanë

Britanikët publikojnë detajet: Pesë persona arrestohen për planifikimin e një sulmi terrorist ndaj bazës ku ndodhen ushtarë amerikanë

Policia e qarkut Gloucestershire në Britaninë e Madhe ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar nën dyshimin se po planifikonin një sulm terrorist ndaj një baze të Forcave Ajrore Mbretërore Britanike (RAF), ku janë të stacionuara edhe forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bëhet fjalë për bazën RAF Fairford, pranë Whelfordit. Policia ka vendosur një perimetër sigurie prej 400 metrash në afërsi të bazës, ndërsa 85 familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Identiteti i personave të arrestuar nuk është bërë i ditur, por autoritetet kanë deklaruar se ata dyshohen për përfshirje në planifikimin e një sulmi terrorist ndaj kësaj baze.

Policia mori informacionet e para për sjellje të dyshimta gjatë natës, pasi banorët lokalë raportuan tre “automjete të dyshimta” që po lëviznin në afërsi të bazës.

“Po punojmë me partnerët tanë nga njësitë kundër terrorizmit për të zbardhur të gjitha detajet e këtij incidenti”, deklaroi ndihmës-shefi i policisë së Gloucestershire, Richard O’Cone.

Ai falënderoi banorët për bashkëpunimin gjatë evakuimit dhe shprehu shpresën se ata së shpejti do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova