Kryeministri hungarez Viktor Orban paralajmëroi se do të ketë “pasoja ligjore” për organizimin apo pjesëmarrjen në Paradën e Krenarisë në Budapest, duke theksuar se kjo përbën shkelje të ndalimit policor të ngjarjes së planifikuar për këtë fundjavë.
Parlamenti hungarez, ku partia e djathtë Fidesz e Orbanit ka shumicën, miratoi në mars një ligj që krijon bazë ligjore për policinë që të ndalojë marshimet LGBTQ, me arsyetimin se mbrojtja e fëmijëve është më e rëndësishme se e drejta për tubim. Ligji gjithashtu u lejon forcave të rendit përdorimin e kamerave për identifikimin e fytyrave me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin më të lehtë të pjesëmarrësve, raporton Reuters.
Kritikët e shohin këtë veprim si pjesë e një shtypjeje më të gjerë të lirive demokratike përpara zgjedhjeve të përgjithshme që priten vitin e ardhshëm, ku Orban do të përballet me një kundërshtar të fortë opozitar, për të cilin disa sondazhe tregojnë se ka më shumë gjasa të fitojë.
“Ne jemi të rritur dhe ua rekomandoj të gjithëve të vendosin vetë çfarë duan, për sa kohë që respektojnë rregullat… dhe nëse nuk e bëjnë, atëherë duhet të përballen me pasoja të qarta ligjore”, tha Orban për radion shtetërore.
Ai shtoi se policia mund ta shpërndajë ngjarjen e ndaluar, por se Hungaria është një “vend i civilizuar” dhe se detyra e policisë është të bindë qytetarët që të respektojnë ligjin.
“Nuk kemi ardhur në këtë botë për ta vështirësuar jetën e njëri-tjetrit, por për ta lehtësuar atë – kjo është thelbi i krishterimit”, theksoi ai.
Britania, Franca dhe Gjermania, së bashku me 30 vende të tjera, shprehën të hënën mbështetjen e tyre për komunitetin LGBTQ në Hungari dhe për Paradën e Krenarisë që do të mbahet më 28 qershor, pasi kryetari liberal i Budapestit njoftoi se qyteti do ta organizojë paradën si një festë komunale të lirisë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje autoriteteve hungareze që të lejojnë zhvillimin e Paradës së Krenarisë – një thirrje që Orban në intervistën e tij e krahasoi me urdhrat që dikur vinin nga Moska në kohën e komunizmit.
“Ashtu si Moska dikur, edhe ajo e trajton Hungarinë si një vend të nënshtruar dhe mendon se mund t’u japë urdhra hungarezëve nga Brukseli – çfarë të duan, e çfarë jo”, tha Orban.
Qeveria e Orbanit promovon një agjendë të fortë kristiano-konservatore dhe gjatë dekadës së fundit ka miratuar disa ligje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e personave LGBTQ.