Në Panairin e Aviacionit të Parisit armët gjenocidale të Izraelit mbulohen me ngjyrë të zezë për vizitorët

Organizatorët e panairit kanë kërkuar që ekspozuesit izraelitë të heqin armët e sulmit nga stendat e tyre

Qeveria franceze ka bllokuar produktet e kompanive izraelite që refuzuan të hiqnin sistemet e armëve sulmuese nga Panairi i Aviacionit i Parisit, duke penguar shfaqjen e tyre, transmeton Anadolu.

Kompanitë izraelite morën pjesë në panairin e aviacionit, i cili filloi sot në Paris dhe do të vazhdojë deri më 22 qershor.

Organizatorët e panairit kanë kërkuar që ekspozuesit izraelitë të heqin armët e sulmit nga stendat e tyre. Ekspozuesit izraelitë refuzuan të zbatonin vendimin, duke pretenduar se kjo kërkesë erdhi pasi ishin ngritur stendat.

Në përgjigje të kësaj, organizatorët rrethuan me blloqe të zeza pjesën e stendës izraelite ku ndodheshin armët sulmuese, duke penguar që këto armë të ekspozoheshin në panair.

Zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit, Amir Baram, e përshkroi vendimin e organizatorëve si një “skandal”. Ministria izraelite e Mbrojtjes në një deklaratë tha se “vendimi i marrë brenda natës ishte një vendim i njëanshëm dhe politik”.

Përpara panairit, disa politikanë francezë kishin bërë thirrje për ndalimin e pjesëmarrjes së kompanive izraelite në panair për shkak të gjenocidit të kryer në Gaza.

Panairi i 55-të Ajror i Parisit, në të cilin marrin pjesë shumë kompani nga e gjithë bota, do të mbahet në Le Bourget, një periferi të Parisit, nga 16 deri më 22 qershor.

Kompanitë izraelite u penguan gjithashtu të merrnin pjesë në Eurosatory 2024, një nga ngjarjet kryesore ndërkombëtare në fushën e industrive të mbrojtjes dhe sigurisë.

Coges Events, organizatori kryesor i panairit të mbajtur në qershor të vitit të kaluar, theksoi se “me vendim të autoriteteve qeveritare, nuk do të ketë stendë të industrisë mbrojtëse izraelite në Sallën e Panairit Eurosatory 2024”.

Kategoritë
BotaLajme