Një prej paneleve të para në ditën e parë të forumit, ishte edhe ai për “Paqen në shekullin 21: Çfarë nevojitet”, me panelistë ministra të jashtëm dhe përfaqësues të disa vendeve
Po zhvillohet në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, Forumi ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën kujdesin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, raporton Anadolu.
Në këtë forum dyditor, po marrin pjesë rreth 150 folës nga më shumë se 45 vende të botës dhe më shumë se 30 panele diskutimi.
Një prej paneleve të para në ditën e parë të forumit, ishte edhe ai për “Paqen në shekullin 21: Çfarë nevojitet”, me panelistë ministra të jashtëm dhe përfaqësues të disa vendeve.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Silda Anagnosti-Çepe, tha se paqja nënkupton ndërtimin e sistemeve të paqes dhe marrëdhënieve që e bëjnë paqen të qëndrueshme.
Anagnosti-Çepe tha se duhet të dëgjohen njerëzit dhe të hiqen barrierat në mendjet njerëzore.
“Pra nuk është se bëhet fjalë për diçka mekanike, por diçka që duhet të bëjmë përmes dialogut, përmes bisedave me njerëz, me komunitetet e cenueshme dhe me ata që në një mënyrë nuk kanë zë”, theksoi ajo.
– “Bashkimi Evropian është projekt i paqes në vetvete”
Zëvendësministrja e Çështjeve Evropiane e Republikës së Çekisë, Pavlina Zhakova, tha se Bashkimi Evropian (BE) është i inkuadruar për paqebërjen në Ballkan me aktivitete të ndryshme, ndërmjetësime në dialog, mbështetje financiare, ndihma humanitare e të tjera.
Zhakova tha se BE-ja promovon paqen edhe me anë të zgjerimit të kufijve të saj.
“Bashkimi Evropian është projekt i paqes në vetvete, është në fakt projekti më i suksesshëm global për paqe që ka tejkaluar konfliktet evropiane të cilat kanë ngarkuar kombet për shumë shekuj me radhë dhe aktualisht anëtarësimi në BE, me zgjerimin e BE-së është gjithashtu një mundësi për zgjerimin e këtij projekti të paqes dhe gjithashtu mundësi për vendet e Ballkanit për këtë projekt”, theksoi Zhakova.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Tailandës, Lalivan Karnchanachari, në panel foli për rëndësinë e inteligjencës artificiale në çështjet e sigurisë.
Ajo tha se inteligjenca artificiale ndihmon në detektimin e hershëm të konflikteve dhe ndihmojnë në ndërtimin e paqes.
Në hapjen e këtij paneli me një fjalë rasti audiencës ju drejtua ministri i Punëve të Jashtme i Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo, i paraprakisht cili foli për vlerat e paqes, barazinë gjinore dhe luftën kundër diskriminimit racor.