Në qytetin gjerman të Gelsenkirchenit, një grua 31-vjeçare është gjobitur me 25 euro, pasi ishte ulur në një stol pranë një këndi lojërash për fëmijë, pa qenë e shoqëruar nga ndonjë fëmijë.
Ngjarja ndodhi në parkun Glückauf, në lagjen Hassel, ku gruaja kishte vendosur të ulej për pak çaste për të pushuar, për të marrë frymë dhe për të zhvilluar një bisedë telefonike.
Sipas gazetës gjermane Berliner Kurier, ajo kishte kërkuar një vend të qetë për të qarë për shkak të stresit financiar dhe atij që lidhej me studimet. Megjithatë, pushimi i saj nuk zgjati shumë, pasi së shpejti ndërhynë zyrtarët e shërbimeve komunale.
Gruaja u gjobit për shkak se kishte përdorur një stol pranë këndit të lojërave për fëmijë, në të cilin, sipas rregullave, nuk duhet të ulen personat që nuk janë të shoqëruar nga fëmijët.
Asaj i është dorëzuar njoftimi për gjobën, ndërsa rasti ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik për shkak të rrethanave të pazakonta në të cilat është shqiptuar masa ndëshkuese.
