Bora bllokoi pasagjerët e Ryanair në Vjenë: Pritën tetë orë për ngritjen e avionit, piloti tha se askush nuk lejohej të dilte

Bora bllokoi pasagjerët e Ryanair në Vjenë: Pritën tetë orë për ngritjen e avionit, piloti tha se askush nuk lejohej të dilte

Pasagjerët e fluturimit të kompanisë Ryanair nga Vjena drejt Londrës, të enjten, kaluan më shumë se tetë orë brenda avionit në aeroportin e Vjenës, përpara se ai të ngrihej në ajër, shkruan gazeta austriake Heute.

Sipas orarit të fluturimeve, avioni duhej të nisej në orën 09:40. Më pas, pasagjerëve iu njoftuan orare të reja të nisjes, rreth orës 13:30 dhe 16:10, por as këto nuk u respektuan. Sipas të dhënave të platformës Flightradar, avioni u ngrit në ajër vetëm në orën 17:34.

Ryanair e arsyetoi vonesën me një problem teknik në sistemin për largimin e akullit nga avionët, i cili menaxhohet nga kontrolli i trafikut ajror në aeroportin e Vjenës. Kompania bëri të ditur se nuk kishte mundur të parashikonte se sa do të zgjaste pritja.

Autoritetet e aeroportit, ndërkaq, si shkak përmendën reshjet e dendura dhe të pandërprera të borës, për shkak të të cilave të gjithë avionët duhet t’i nënshtrohen procesit të largimit të akullit përpara ngritjes.

Një pasagjere 23-vjeçare nga Austria e Poshtme, e cila po udhëtonte drejt Londrës, tregoi për Heute se kapiteni kishte njoftuar përmes altoparlantëve se askush nuk lejohej të dilte nga avioni. Sipas saj, ushqimi dhe pijet ofroheshin me pagesë, ndërsa pasagjerët nuk kishin marrë as ujë falas.

“Ky është një tmerr i vërtetë”, deklaroi pasagjerja, duke treguar se tualetet ishin tejmbushur dhe se një stjuardesë po qante në një cep të avionit.

Sipas saj, pasagjerëve u ishte thënë se do të merrnin kuponë në aeroportin e Londrës.

Kategoritë
BotaLajme