Sllovenia kushtëzon rrugën evropiane të Serbisë: Jansha kërkon dosjet e shërbimeve sekrete jugosllave për shkak të çështjes “Marta Kos”

Sllovenia kushtëzon rrugën evropiane të Serbisë: Jansha kërkon dosjet e shërbimeve sekrete jugosllave për shkak të çështjes “Marta Kos”

Sllovenia ka lobuar që deklarata e Samitit BE–Ballkani Perëndimor t’i bëjë thirrje Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes për çështjet e sukcesionit. Diplomatët e lidhin këtë me kërkesën e Janez Janshës që Beogradi të dorëzojë arkivat e shërbimeve sekrete jugosllave, të rëndësishme edhe në kontekstin e akuzave ndaj komisioneres Marta Kos.

Siç shkruan portali nga Brukseli, Rapporteur, projektdeklarata u bën thirrje “partnerëve përkatës” që të zbatojnë të gjitha detyrimet e mbetura nga Marrëveshja për çështjet e sukcesionit dhe të zgjidhin çështjet e pazgjidhura që lidhen me të.

Ky formulim ka mbetur i pandryshuar edhe në deklaratën përfundimtare, të publikuar të mërkurën në mbrëmje. Sipas diplomatëve të BE-së, ai është përfshirë në tekst pjesërisht falë lobimit të Lubjanës.

Deklarata nuk përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë Serbinë dhe arkivat. Megjithatë, tre diplomatë të BE-së, me të cilët ka biseduar Rapporteur, vlerësojnë se insistimi i Sllovenisë për një formulim më të fortë mund të lidhet me kërkesat e Janshës ndaj Beogradit.

Arkivat në Beograd

Marrëveshja për çështjet e sukcesionit është një marrëveshje shumëpalëshe që rregullon ndarjen e pasurisë dhe detyrimeve pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve ’90.

Një pjesë e madhe e arkivave të shërbimeve federale të inteligjencës së ish-Jugosllavisë vazhdon të ndodhet në Beograd, ndërsa qasja në to është e kufizuar.

Muajin e kaluar, Jansha publikoi në rrjetin social X kopertinën e një libri, në të cilin pretendohet se Marta Kos gjatë viteve ’80 dhe ’90 kishte punuar për UDB-në, policinë sekrete politike jugosllave.

Me këtë rast, ai shkroi se Sllovenia nuk do ta lejojë Serbinë të përparojë drejt anëtarësimit në BE derisa t’ia dorëzojë Sllovenisë të gjitha arkivat e shërbimeve të sigurisë, ushtarake dhe të inteligjencës së ish-Jugosllavisë socialiste. Deklarata të ngjashme ai kishte bërë edhe më herët.

Kos më parë kishte mohuar se kishte bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave. Ajo ishte propozuar për postin e komisioneres pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2024 nga qeveria e atëhershme e qendrës së majtë, përpara se Jansha, lider i qendrës së djathtë, të rikthehej në pushtet në prill të këtij viti.

Ministria nuk e mohon lidhjen

E pyetur nëse presioni i Sllovenisë për një formulim më të fortë lidhet me akuzat ndaj Kos, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Sllovenisë nuk e ka mohuar këtë lidhje, por ka theksuar se thirrjet për zbatimin e Marrëveshjes për çështjet e sukcesionit prej vitesh përfshihen në deklaratat e samiteve për Ballkanin Perëndimor.

“Bëhet fjalë për respektimin e detyrimeve ndërkombëtare, gjë që është e rëndësishme për bashkëpunimin rajonal, pajtimin, respektimin e sundimit të ligjit dhe parimeve të tjera themelore”, ka deklaruar ministria, duke shtuar se marrëveshja, edhe 25 vjet pas nënshkrimit, mbetet kryesisht e pazbatuar.

Një zyrtar i BE-së deklaroi se çështja e Marrëveshjes për suksesionin zë një vend të rëndësishëm në agjendën e samitit, ndërsa një diplomat rikujtoi se marrëveshja përfshin edhe pretendime të pazgjidhura financiare dhe pronësore.

Deklarata është mbështetur nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që morën pjesë në samit. Serbia nuk ishte e pranishme, pasi pushteti i ri ende po konsolidohet. Deputetët e rinj dhanë betimin javën e kaluar, ndërsa bisedimet për formimin e qeverisë janë ende në zhvillim.

Kategoritë
LajmeRajoni