Ndërsa ëndërronte për medalje olimpike: Tetëvjeçarja dhe babai i saj u vranë në sulmin izraelit ndaj Teheranit

Një gjimnaste iraniane tetëvjeçare humbi jetën gjatë sulmeve izraelite ndaj lagjeve të banuara në Iran.

Në një deklaratë, Federata e Gjimnastikës së Republikës Islamike e përshkroi vajzën Tara Hajimiri si një sportiste premtuese të vendit dhe e cilësoi sulmin si “një tjetër dëshmi e infanticidit” që, sipas tyre, po kryen Izraeli.

“Tara, një vajzë e talentuar që ëndërronte t’i sillte lavdi Iranit në skenën ndërkombëtare të gjimnastikës, fatkeqësisht u vra së bashku me prindërit e saj në një sulm me raketa të regjimit izraelit në rrugën Patrice Lumumba, duke iu bashkuar radhëve të dëshmorëve,” thuhet në deklaratën e cituar nga mediat lokale.

Njëkohësisht, federata dënoi veprimet izraelite dhe shprehu ngushëllime për familjen e sportistes së re.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Esmail Baghaei, dënoi sulmet izraelite ndaj zonave të banuara dhe objekteve bërthamore në Iran, “në një kohë kur nuk kishte asnjë luftë në zhvillim”. Ai theksoi se veprimet e Tel Avivit “shkelin plotësisht të gjitha normat dhe rregullat ndërkombëtare”.

“Ehsan dhe vajza e tij nuk kishin bombë bërthamore dhe nuk përbënin kërcënim për askënd,” deklaroi Baghaei.

Ai më pas tregoi historinë e babait dhe vajzës së tij që u vranë në një lagje të Teheranit gjatë një sulmi.

“Ishin vetëm një baba dhe vajza e tij, krimi i vetëm i të cilëve ishte që jetonin – por edhe frymëmarrja ishte e padurueshme për një regjim që i trembet fëmijëve dhe e sheh vrasjen e tyre si argëtim,” përfundoi Baghaei.

Kategoritë
BotaLajme