Murati: Qeveria s’ka përjashtuar ndonjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se Qeveria nuk ka përjashtuar asnjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike, madje ka shtuar se me programin e ri synohet të zgjerohet lista e familjeve që mbështeten, shkruan Reporteri.net.

Në postimin e tij, Ministri Murati ka publikuar edhe vendimin, derisa mohon se invalidët e luftës përjashtohen me automatizëm me pretendimin se pensioni i tyre është së paku 225 euro, dhe kësisoj e tejkalojnë nivelin e përcaktuar prej 150 euro për kualifikim.

“Është e pavërtetë që Qeveria ka përjashtuar ndonjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike”.

“Përkundrazi, me programin e ri synimi është që të zgjerohet lista e familjeve që mbështeten, si dhe subvencionimi të jetë në bazë të të ardhurave, pra sa më pak të ardhura, aq më i lartë subvencionimi. Programi i ri është në fazën e pilotimit, dhe kemi paraparë edhe një fazë/grup aplikimesh ku pritet të trajtohen sfidat që kemi hasur gjatë fazës/grupit të parë. Si Ministri, kemi lëshuar komunikata me sqarimet e nevojshme, por, se sa u është dhënë jehonë nga disa prej mediave, është për t’u diskutuar. Pikërisht për këtë e kishte fjalën Kryeministri para ca ditësh kur tha se masat dhe veprimet e Qeverisë nuk po përçohen si informata tek qytetarët nga disa media. Një tjetër argument i thënë në këtë lajm e që nuk qëndron ishte se invalidët e luftës përjashtohen me automatizëm sepse pensioni i tyre është së paku 225 euro, dhe kësisoj e tejkalojnë nivelin e përcaktuar prej 150 euro për kualifikim”, tha Murati.

“Së pari, siç edhe mund të shihet në vendim (foto 2), të ardhurat nga pensionet invalidore janë të përjashtuara nga llogaritja, dhe rrjedhimisht nuk përjashtohet askush për shkak se merr pension invalidor.

Por edhe nëse dikush ka të ardhura tjera nga biznesi apo nga paga, atëherë ato të ardhura përllogariten dhe përpjestohen me numrin e anëtarëve të familjes dhe përderisa mesatarja për anëtar është më pak se 150 euro/muaj, atëherë familja kualifikohet për subvencionim. Shembull: një veteran invalid i luftës, përveç pensionit mund të ketë të ardhura nga paga 400 euro/muaj, por nëse janë 5 anëtarë të familjes, atëherë mesatarja për anëtar i bie 80 euro/muaj, e që është nën tavanin prej 150 euro/muaj, dhe rrjedhimisht kualifikohet për subvencionim”.

Ndryshe, Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi dje tha se subvencionimi i rrymës për këto kategori është hequr nga buxheti për vitin 2023.

“Këtë vit nuk janë kryer pagesat. Nuk jemi subvencionuar këtë vit. Tash po përfundon viti. Ne kemi pritur hajt në këtë muaj mos po kryhet, dhe në fund e kemi kuptuar qe Qeveria e ka hequr atë buxhet prej Departamentin për Familjet e Dëshmorëve dhe nuk na ka subvencionuar , pra nuk ka planifikuar buxhet për subvencionim në buxhetin e vitit 2023”, kishte thënë Qeriqi.

Për këtë sot reaguar edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi e cila tha se këtyre kategorive u garantohet me ligj, subvencionimi i energjisë elektrike.

“Albin, pse duhet me pagu rrymën për serbët në veri e jo për ushtarët e UÇK-së, invalidët e luftës, viktimat e dhunës civile e veteranët?”, kishte shkruar mes tjerash Musliu-Shoshi në Fecebook./Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi