Moska ka paralajmëruar Uashingtonin që të përmbahet nga ofrimi i ndihmës së drejtpërdrejtë ushtarake për Izraelin, madje edhe nga deklaratat spekulative në këtë drejtim.
Këtë e ka deklaruar për agjencinë ruse “Interfax” zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Rjabkov.
I pyetur për përfshirjen e mundshme të Shteteve të Bashkuara në konfliktin e Lindjes së Mesme, Rjabkov tha:
“Shtetet e Bashkuara janë vazhdimisht në epiqendër të të gjitha zhvillimeve, dhe të thuhet se më parë nuk ishin të përfshira, por tani duan të jenë – do të ishte e pasaktë,” deklaroi ai.
Ai paralajmëroi SHBA-në që të mos mendojë as për ndihmë direkte ndaj Izraelit.
“Një gjë tjetër është mënyra se si ata e konsiderojnë situatën për ofrim ndihme ushtarake direkte ndaj Izraelit. Ne paralajmërojmë Uashingtonin që të mos e çojë as në mendje. Një veprim i tillë do ta destabilizonte rrënjësisht të gjithë situatën,” theksoi Rjabkov.
Gjatë natës së 13 qershorit, Izraeli kreu sulme masive ndaj Iranit. Arsyeja zyrtare e deklaruar për këtë operacion ishte neutralizimi i aktiviteteve bërthamore të Teheranit. Si kundërpërgjigje, Irani nisi sulme në territorin izraelit.