Lideri iranian, Khamenei: Ndërhyrja e SHBA-së do të shkaktojë dëme të pariparueshme për Washingtonin

Në një mesazh të transmetuar në televizionin shtetëror, Khamenei vlerësoi “sjelljen e vendosur, të guximshme dhe të ndjeshme” të popullit iranian kundër sulmeve të çmendura dhe keqdashëse të Izraelit

Udhëheqësi i Iranit, Ali Khamenei tha se çdo ndërhyrje ushtarake e SHBA-së do të shkaktojë dëme të pariparueshme (për SHBA-në), transmeton Anadolu.

Në një mesazh të transmetuar në televizionin shtetëror, Khamenei vlerësoi “sjelljen e vendosur, të guximshme dhe të ndjeshme” të popullit iranian kundër sulmeve të çmendura dhe keqdashëse të Izraelit.

“Irani ashtu sikur kundërshton një luftë të imponuar, ai gjithashtu do të qëndrojë në mënyrë të vendosur edhe kundër një paqeje të imponuar. Ky popull nuk do t’i dorëzohet askujt përballë imponimit”, tha Khamenei.

Duke iu referuar kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, Khamenei tha: “Njerëzit inteligjentë që e njohin Iranin, kombin iranian dhe historinë e tij nuk do t’i flisnin kurrë me një gjuhë kërcënuese këtij populli sepse populli iranian nuk do të dorëzohet. Amerikanët duhet ta dinë se çdo ndërhyrje ushtarake do të shkaktonte dëme të pariparueshme (për SHBA-në)”.

Kategoritë
BotaLajme