Mjaft më me bombardime? Mediat izraelite: Tel Avivi është i gatshëm për t’i dhënë fund luftës me Iranin

Sipas mediave izraelite, Tel Avivi është i gatshëm për një ndalim të përleshjeve me Iranin pas sulmit ajror amerikan ndaj objekteve bërthamore iraniane. Portali izraelit Ynet, duke cituar zyrtarë të lartë, raporton se vendimi përfundimtar për një fund të konfliktit i takon liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.

“Nëse nesër Khamenei ndalon sulmet dhe thotë se dëshiron të ecë drejt përfundimit të luftës – ne do ta pranojmë,” ka deklaruar një zyrtar për Ynet.

Në kundërshtim me burimet e New York Times, të cilat thonë se Irani ka mundur të zhvendosë pjesën më të madhe të uraniumit dhe pajisjeve nga objektet e sulmuara, burimet e Ynet pretendojnë se të paktën 80–90 për qind e kapaciteteve janë shkatërruar dhe se programi bërthamor i Iranit është kthyer pas për një dekadë.

“E kemi përgatitur opinionin publik për një fushatë të gjatë. Por kjo nuk varet nga ne – varet nga Irani. Nëse iranianët vendosin të na përballen me një luftë rrënuese, atëherë kemi përpara një përballje afatgjatë, dhe ka ende kohë për të. Por ky nuk është synimi ynë – dëshirojmë ta mbyllim këtë çështje në të ardhmen e afërt, brenda kësaj jave. Nëse kjo ndodh, varet nga Khamenei. Nëse ai vazhdon të qëllojë pa ndalur, do të duhet t’i përgjigjemi, nuk mund të rrijmë duarkryq. Ne nuk kemi interes të zgjasim këtë konflikt,” u shpreh zyrtari.

Po ashtu, ai konfirmoi se rrëzimi i regjimit në Iran nuk ka qenë qëllimi i fushatës ushtarake izraelite.

Kategoritë
BotaLajme