Ministri izraelit kërcënon si Vuçiq në vitet ’90: “Për çdo ndërtesë që shkatërron Irani, ne do të rrënojmë 100”

Ministri izraelit i Energjisë dhe Infrastrukturës, Eli Cohen, gjatë një vizite në qytetin Bat Yam, ku një ndërtesë u godit nga raketat iraniane, lëshoi një deklaratë të ashpër dhe kërcënuese.

Cohen, duke folur para gazetarëve pranë rrënojave, tha:

“Dua të dërgoj një mesazh: për çdo ndërtesë që rrënohet në Izrael, ne do të rrënojmë 100 në Teheran dhe Iran. Do ta vazhdojmë këtë luftë deri sa të arrijmë të gjitha objektivat.”

Deklaratat e tij rikujtojnë retorikën e dhunshme të Aleksandar Vuçiqit në vitet 1990. Në veçanti, komentet e bëra nga Vuçiq më 20 korrik 1995, vetëm nëntë ditë pas hyrjes së Ushtrisë së Republikës Serbe (VRS) në Srebrenicë, ku u krye gjenocidi ndaj mijëra myslimanëve boshnjakë.

Në atë kohë, Vuçiq deklaronte nga foltorja e Kuvendit të Serbisë:

“Po ju bombardoni, vrisni një serb, ne do të vrasim njëqind myslimanë. E të shohim a guxon bashkësia ndërkombëtare apo dikush tjetër të godasë pozicionet serbe. A guxon dikush të sillet kështu me popullin serb?”

Krahasimi i sotëm me deklaratat e Cohenit ngre shqetësime për përshkallëzimin e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës kolektive, sidomos në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme po arrijnë kulme të reja dhe viktimat civile po shtohen në të dyja anët.

Kategoritë
BotaLajme