Ministri amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se qëllimi i sulmit amerikan ndaj objekteve bërthamore iraniane nuk ishte ndërrimi i pushtetit në Teheran, por mbrojtja e interesave kombëtare dhe vetëmbrojtja kolektive e forcave amerikane dhe aleatëve, përfshirë Izraelin.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Pentagon, Hegseth theksoi se mesazhet ndaj Iranit janë përcjellë “përmes shumë kanalesh, si publike ashtu edhe private”, dhe se Irani “e di saktësisht cila është pozita e SHBA-së dhe cilat hapa duhet të ndërmarrë nëse dëshiron paqe”.
“Kjo mision nuk kishte për qëllim dhe nuk lidhet me ndërrimin e regjimit. Presidenti ka miratuar një operacion të saktë për të neutralizuar kërcënimet që programi bërthamor iranian paraqet për interesat tona”, theksoi Hegseth, duke shtuar se operacioni ishte “i fuqishëm dhe i saktë”.
Ai më herët kishte deklaruar se objektivat e sulmit nuk ishin pozicionet ushtarake të Iranit, por vetëm objektet bërthamore.
Hegseth gjithashtu theksoi se përmasat e sulmit amerikan ishin “qëllimisht të kufizuara” në mënyrë që Iranit t’i lihej hapësirë për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve. Megjithatë, ai paralajmëroi se aftësitë ushtarake të SHBA-së janë “gati të pakufizuara”.
Kujtojmë se pas sulmit ajror amerikan ndaj objekteve bërthamore iraniane, zyrtarët e lartë të Pentagonit mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp. Ministri Hegseth atëherë deklaroi se sulmi ka rezultuar me “shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit”, ndërsa kryetari i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura, gjenerali John Caine, ishte më i kujdesshëm, duke theksuar se aftësia e Iranit është “zvogëluar ndjeshëm”.
Të dy lavdëruan presidentin Donald Trump për, siç thanë, “vendimin brilant dhe të guximshëm” për të nisur sulmin.
“Operacioni i planifikuar nga presidenti Trump ishte i guximshëm dhe brilant. Kur ky president flet, bota duhet ta dëgjojë”, u shpreh Hegseth, duke e lavdëruar vazhdimisht liderin amerikan.
Kujtojmë gjithashtu se më herët këtë javë, Trump kishte shkruar në platformën e tij Truth Social se SHBA “e di ku fshihet lideri suprem iranian”, duke shtuar në mënyrë provokuese se forcat amerikane “nuk do ta vrasin – të paktën jo tani për tani”.