Ministri amerikan i Mbrojtjes e quajti Kinën kërcënim, Pekini i kthehet: “Mos luani me zjarrin”

Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, foli në një konferencë ndërkombëtare të sigurisë në Singapor dhe identifikoi Kinën si kërcënim për rajonin Indo-Paqësor.

Hegseth shkoi edhe më tej në deklaratat e tij, duke thënë se “Kina po përgatitet për një pushtim të Tajvanit”, ishullin që Pekini e konsideron si territor të vetin, edhe pse nuk ka kontroll mbi të.

Ai shtoi se “çdo operacion ushtarak do të ketë pasoja të pallogaritshme”, duke sugjeruar se SHBA-të do ta mbrojnë Tajvanin në rast të një pushtimi kinez.

Përgjigjja për Hegsethin erdhi nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës, e cila deklaratat e tij i cilësoi si “akuza të rreme” dhe “shpifje”, duke i dërguar një paralajmërim Amerikës që “të mos luajë me zjarrin” kur bëhet fjalë për Tajvanin.

“Deklaratat e Hegseth ishin të mbushura me provokime dhe kishin për qëllim përçarjen. Kina i dënon me vendosmëri ato dhe shpreh kundërshtim të fuqishëm, duke i dorëzuar një notë proteste të ashpër SHBA-ve,” thuhet në njoftimin e ministrisë.

Autoritetet në Pekin dhe Tajpej, kryeqyteti i Tajvanit, e konsiderojnë veten përfaqësues legjitim të Kinës. Tajvani u nda dhe u bë de-facto shtet i pavarur që nga viti 1949, kur mbretërorët që humbën luftën civile morën pushtetin atje.

Deri në vitin 1971, autoritetet në Tajvan e përfaqësonin zyrtarisht Kinën në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por që atëherë janë zëvendësuar nga autoritetet në Pekin, të cilat drejtohen nga Partia Komuniste e Kinës.

Që nga ajo kohë, të gjitha shtetet që mbajnë marrëdhënie zyrtare me Tajvanin, nuk kanë marrëdhënie me Kinën komuniste, ndërsa shumica e vendeve në botë mbajnë kontakte joformale me qeverinë tajvaneze.

Vlen të theksohet gjithashtu se Tajvani është një vend me 23 milionë banorë dhe, ndryshe nga Kina autokratike, është një shtet demokratik.

Kategoritë
BotaLajme