Medvedev: Shumë vende janë tani të gatshme të furnizojnë drejtpërdrejt Iranin me armë bërthamore

Ish-presidenti dhe kryeministri rus, Dmitry Medvedev, deklaroi se “shumë vende janë të gatshme të furnizojnë drejtpërdrejt Iranin me armët e tyre bërthamore”, si pasojë e sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj tre objekteve bërthamore iraniane.

Në një postim në kanalin e tij në Telegram, Medvedev paraqiti dhjetë pasojat që sipas tij ka shkaktuar ky sulm amerikan.

Ai thekson së pari se infrastruktura kritike e programit bërthamor të Iranit “nuk është dëmtuar ose është dëmtuar vetëm në mënyrë të parëndësishme”.

Sipas tij, pas këtij sulmi, jo vetëm që do të vazhdojë pasurimi i materialeve bërthamore, por edhe “prodhimi i armëve bërthamore iraniane do të ecë më me vendosmëri”.

Medvedev thotë se tashmë “shumë shtete janë të gatshme ta furnizojnë drejtpërdrejt Iranin me armë bërthamore”, por nuk specifikoi se cilat janë këto vende.

Ai shton se si pasojë e sulmit, janë ndërmarrë goditje të reja ndaj Izraelit dhe është krijuar panik në vend, ndërsa SHBA-të janë tërhequr në një konflikt të ri që mund të përfshijë edhe operacione tokësore.

“Trump, që erdhi si një president i paqes, i ka hapur një luftë të re Shteteve të Bashkuara”, shkroi Medvedev.

Ai deklaron gjithashtu se “regjimi politik në Iran është ruajtur dhe me gjasë është bërë më i fortë”, duke shtuar se “populli është bashkuar rreth udhëheqjes shpirtërore, madje edhe ata që nuk ndanin simpati më parë”.

Sipas Medvedevit, shumica e vendeve të botës janë kundër veprimeve të Izraelit dhe SHBA-së dhe Trump, me një qasje të tillë, “nuk do ta shohë kurrë Çmimin Nobel për Paqe, pavarësisht përpjekjeve për ta blerë atë nominim”.

Në fund, ai ironizoi me fjalët: “Fillim i mbarë, urime zoti President!”

Kategoritë
BotaLajme