Media kineze: SHBA po përsërit gabimet e Irakut në Iran

Pas sulmit të SHBA-së ndaj tri objekteve bërthamore në Iran, media shtetërore kineze paralajmëroi se Uashingtoni është në rrugën e përsëritjes së gabimeve të bëra në Irak më 2003. Sulmet që Izraeli nisi më 13 qershor me justifikimin e ndalimit të armatimit bërthamor iranian kanë shtuar frikën për një luftë globale.

Televizioni Global i Kinës (CGTN), në një analizë pas sulmeve amerikane ndaj Iranit, deklaroi se SHBA ka ndërhyrë ushtarakisht për të frenuar përshkallëzimin midis Izraelit dhe Iranit, por kjo ndërhyrje përbën një pikë kritike dhe të rrezikshme në një rajon tashmë të brishtë si Lindja e Mesme.

“MUND TË NDEZË NJË LUFTË TË GJERË”

Në analizë theksohet se struktura e ndërlikuar e Lindjes së Mesme – me aleanca, armiqësi dhe luftëra përfaqësuese – do të thotë se sulmet amerikane ndaj infrastrukturës ushtarake dhe bërthamore të Iranit nuk do të mbesin pa përgjigje. Kjo mund të provokojë jo vetëm Iranin, por edhe aleatët e tij dhe grupet përfaqësuese në rajon, duke nxitur një luftë shumë më të madhe.

Analiza shton se ende mbetet e paqartë se si do të reagojnë aktorë kyç si Irani dhe Rusia ndaj këtij eskalimi.

“GABIMET NË IRAK MUND TË PËRSËRITEN ME IRANIN”

CGTN kujton se ndërhyrjet ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme shpesh kanë sjellë pasoja të paparashikuara, konflikte të gjata dhe destabilizim rajonal. Veçanërisht përmendet pushtimi i Irakut më 2003, i cili bazohej në inteligjencë të shtrembëruar, dhe që çoi në trazira, konflikte sektare dhe dobësim të shtetit irakian – i cili, sipas analizës, ende nuk ka arritur të ndërtojë një qeverisje të qëndrueshme ndërsa grupet militante janë forcuar.

Shkruhet: “A do të përsërisë administrata e Donald Trump gabimet e dështimit në Irak, kësaj here në një shtet tri herë më të madh si Irani?”

Në përfundim, analiza bën thirrje që zgjidhja e tensioneve në rajon të kërkohet përmes dialogut dhe negociatave, të cilat mbeten ende mundësia më e mirë për paqen në Lindjen e Mesme dhe në botë.

Kategoritë
BotaLajme