Mbreti Abdullah paralajmëroi në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian për përshkallëzimin e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit

Mbreti jordanez Abdullah II paralajmëroi në një fjalim para Parlamentit Evropian se sulmet izraelite ndaj Iranit paraqesin një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve në rajon dhe më gjerë.

Abdullahu tha se me zgjerimin e ofensivës izraelite ndaj Iranit, nuk mund të thuhet se ku do të jenë kufijtë e kësaj fushe beteje.

“Dhe kjo, miqtë e mi, është një kërcënim për njerëzit kudo,” u tha ai deputetëve në Strasburg.

Izraeli pretendon se fushata e tij ajrore ka për qëllim të parandalojë armikun e tij të betuar që të sigurojë armë bërthamore – një ambicie që Teherani e mohon.

Përshkallëzimi, i cili është kulmi i dekadave të armiqësisë që u përkeqësuan me luftën në Gaza, ka penguar bisedimet për çështjen bërthamore me Iranin dhe ka nxitur frikën për një konflikt më të gjerë.

Abdullahu iu drejtua gjerësisht eurodeputetëve për situatën “të turpshme” në Gaza, duke u bërë thirrje aktorëve ndërkombëtarë të vazhdojnë presionin për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez që zgjat prej tetë dekadash, duke e cilësuar atë si çelës për “sigurinë tonë të përbashkët”.

“Cila version i humanitetit tonë lejon që e paimagjinueshmja të bëhet rutinë, lejon përdorimin e armëve kundër fëmijëve të uritur, normalizon shënjestrimin e punonjësve shëndetësorë, gazetarëve dhe civilëve që kërkojnë strehim në kampe?” – pyeti ai.

Ai shtoi se ky konflikt duhet të përfundojë, dhe se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme është ajo e bazuar në një paqe të drejtë, në të drejtën ndërkombëtare dhe në njohjen e ndërsjellë.

Kategoritë
BotaLajme