Ministria e Punëve të Brendshme e Arabisë Saudite njoftoi se mbi 75 mijë persona janë kthyer mbrapsht për shkak të shkeljes së rregullave të haxhit në kuadër të kontrolleve ndaj atyre që përpiqen të kryejnë haxhin pa leje.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare saudite SPA, Drejtori i Sigurisë Publike, Gjeneralleitnant Muhamed el-Bassami, mbajti një konferencë për media në Mekë.
Ai bëri të ditur se rreth 270 mijë persona që kishin leje qëndrimi, por nuk posedonin dokument zyrtar për haxhin, nuk janë lejuar të hyjnë në Mekën e Shenjtë. Gjithashtu, 75.943 persona janë kthyer për shkak të shkeljes së rregulloreve të haxhit.
Sipas Bassamit, janë identifikuar 252 organizata të rreme të haxhit, 1239 mjete transporti të paligjshme dhe mbi 109 mijë automjete pa autorizim.
MASA TË RREPTA SIGURIE
Autoritetet njoftuan se këtë vit janë vendosur sisteme të teknologjisë së avancuar, përfshirë dronë, sisteme analitike me mbështetje nga inteligjenca artificiale dhe kamera vëzhgimi për të siguruar sigurinë gjatë sezonit të haxhit.
Komandanti i Forcave Speciale të Sigurisë pranë Presidencës së Sigurisë Kombëtare, Gjeneralleitnant Muhamed el-Umri, deklaroi se janë zbatuar plane të detajuara në terren për të parandaluar hyrjet e paautorizuara në zonat e shenjta dhe për të menaxhuar turmat në mënyrë të sigurt.
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, Gjeneralmajor Hamud el-Ferc, bëri të ditur se për herë të parë këtë vit do të përdoren dronë të veçantë të quajtur “Sakr” (Shqiponja) për shuarje zjarresh dhe operacione shpëtimi.
AFRO 1.5 MILION HAXHILERË TË ARDHUR NGA JASHTË
Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Pasaportave, Gjeneralmajor Salih el-Murabba, njoftoi se deri më tani numri i pelegrinëve të ardhur nga jashtë për sezonin e haxhit 2025 ka kaluar 1 milion e 475 mijë.
Arabia Saudite gjithashtu ka pranuar grupin e parë me 500 haxhilerë palestinezë nga Bregu Perëndimor në kuadër të programit të veçantë të mysafirëve të Mbretit Selman, që përfshin familjarët e dëshmorëve, të burgosurve dhe të plagosurve. Në total, 1000 palestinezë do të jenë pjesë e këtij programi.