Lideri i opozitës izraelite, Lapid i bën thirrje Netanyahut të japë dorëheqje

Lapid tha se dorëheqja e Haliva-s ishte “e nderuar” dhe e bazuar në arsye “të justifikueshme” dhe bëri thirrje që Netanyahu të veprojë në të njëjtën mënyrë

Udhëheqësi kryesor i opozitës izraelite, Yair Lapid deklaroi se kryeministri Benjamin Netanyahu duhet të marrë përgjegjësinë dhe të japë dorëheqje, ashtu si shefi i Inteligjencës Ushtarake, gjeneralmajor Aharon Haliva, i cili vendosi të japë dorëheqje për shkak të dështimit të tij që çoi në sulmet e 7 tetorit, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e tij në platformën e mediave sociale X, Lapid theksoi se dorëheqja e Haliva-s ishte “e nderuar” dhe e bazuar në arsye “të justifikueshme” dhe bëri thirrje që Netanyahu të veprojë në të njëjtën mënyrë.

“Me autoritetin vjen një përgjegjësi e rëndë. Vendimi i pensionimit i drejtorit të AMAN (Agjencia e Inteligjencës Ushtarake izraelite) është i justifikuar dhe i nderuar. Do të ishte e përshtatshme që kryeministri Netanyahu të bënte të njëjtën gjë”, tha Lapid.

Sipas deklaratës së ushtrisë izraelite, gjeneralmajor Haliva i ka dorëzuar sot letrën e dorëheqjes xhefit të Shtabit të Përgjithshëm Herzi Halevit.

Haliva, i cili vendosi të jepte dorëheqje për shkak të dështimit që çoi në sulmet e 7 tetorit, në letrën e tij tha: “Njësia e inteligjencës nën komandën time nuk arriti të përmbushë misionin e saj. Unë do të mbaj dhimbjen e luftës përgjithmonë. Unë tani dua të pranoj përgjegjësinë dhe të përfundoj detyrën time”.

Haliva u bë zyrtari i parë i lartë ushtarak izraelit që pranoi dështimin e tij dhe vendosi të japë dorëheqje pas sulmeve të 7 tetorit.

Kategoritë
BotaLajme