Gazeta austriake Der Standard ka publikuar një shkrim kushtuar dorëheqjes së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në komentin e publikuar, Der Standard e ka cilësuar dorëheqjen e Vuçiqit si “krejtësisht të pakuptimtë”.
“Në fund, pavarësisht nëse Vuçiq mban ndonjë post apo jo dhe pavarësisht nëse teknikisht është president i shtetit apo kryeministër, fijet gjithmonë çojnë tek ai. Vuçiq me shumë gjasë do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryeministrit pas zgjedhjeve, ashtu siç ka bërë edhe më parë. Ai thjesht po zbaton ‘recetën e Putinit’ – edhe diktatori rus, në fakt, ka ushtruar në mënyrë të alternuar postet e kryeministrit dhe presidentit”, shkruan Der Standard.
Gazeta thekson se “shfaqja me Vuçiqin para së gjithash tregon se sa autoritare është bërë Serbia dhe deri në çfarë mase po shpërfillet Kushtetuta”.
Der Standard rikujton se pritet që partia e Vuçiqit të fitojë përsëri në zgjedhjet e 25 tetorit dhe se, sipas sondazheve, ajo gëzon mbështetjen e 48 për qind të qytetarëve, ndërsa lista studentore, e dalë nga protestat, ka mbështetje prej 37 për qind.
“BE-ja duhej t’i kishte ndërprerë negociatat me Serbinë shumë vite më parë, më së voni në momentin kur regjimi përdori forcë kundër qytetarëve të vet ose, në çdo rast, jo më vonë se tre vjet më parë, kur formacionet paraushtarake serbe kryen një sulm terrorist në Kosovën fqinje. Në vend të kësaj, zyrtarët e lartë të BE-së vazhdojnë të shkojnë në Beograd”, shkruan Der Standard.
Gazeta shton se edhe pasi Serbia organizoi një varrim madhështor për të dënuarin për krime lufte Ratko Mladiq, presidenti francez Emmanuel Macron e priti Vuçiqin në Paris.
“Sistemi i Vuçiqit, sikurse edhe shtypja e forcave demokratike në Serbi, fatkeqësisht është produkt si i mungesës së njohurive, ashtu edhe i mungesës së strategjisë nga pjesa tjetër e Evropës”, përfundon shkrimi i Der Standard.

