Ministri i Jashtëm rus, Lavrov ripohoi gatishmërinë e Rusisë për të ndihmuar në proces, duke ofruar mbështetjen e Moskës në çdo kapacitet të dobishëm për Teheranin dhe të pranueshëm për Washingtonin
Rusia ofroi ndihmë për bisedimet indirekte bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit, raporton Anadolu.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov ripohoi gatishmërinë e Rusisë për të ndihmuar në proces, duke ofruar mbështetjen e Moskës në çdo kapacitet të dobishëm për Teheranin dhe të pranueshëm për Washingtonin.
“Ne jemi të përgatitur të ndihmojmë, ndërmjetësojmë dhe të marrim çdo rol që Irani e sheh të dobishëm dhe që SHBA-ja është e gatshme ta pranojë”, tha Lavrov në një konferencë për media pas bisedimeve me homologun e tij iranian në Moskë.
Duke folur pas bisedimeve të tyre, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se Teherani ka parë një nivel serioziteti në qasjen e Washingtonit gjatë raundit të parë të bisedimeve në Oman fundjavën e kaluar që synonte zgjidhjen e çështjeve rreth programit bërthamor të Iranit.
Araghchi tha se për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga qeveria amerikane, përfshirë sanksionet ekonomike dhe politikën e saj të “presionit maksimal”, negociatat e drejtpërdrejta midis Teheranit dhe Washingtonit mbeten të pamundura për momentin.
“Gjatë raundit të parë të negociatave, ne vërejtëm një shkallë të caktuar serioziteti në synimet e palës tjetër, si dhe një gatishmëri për t’u fokusuar ekskluzivisht në çështjen bërthamore. Kjo mund të hapë derën e dialogut konstruktiv”, tha Araghchi.
Ai shtoi se e ka informuar Lavrovin për ecurinë e negociatave, duke theksuar dëshirën e Iranit për zgjidhje diplomatike.
“Aktualisht, ne do të zhvillojmë vetëm negociata indirekte. Por, rruga diplomatike është e hapur, negociatat indirekte nuk janë diçka e vështirë apo befasuese dhe është e mundur të arrihen marrëveshje”, tha ai.
Irani dhe fuqitë botërore nënshkruan një marrëveshje bërthamore në vitin 2015 për frenimin e aktiviteteve bërthamore të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë.
Një raund i dytë bisedimesh në Romë është caktuar për këtë të shtunë.