Kurti tha se siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim bërthamor dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova përkrah SHBA-në dhe Bashkimin Evropian (BE) rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë bërthamore, transmeton Anadolu.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kurti tha se siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim bërthamor dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin.
Ai tha se kur shtetet autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim bërthamor atëherë çështja bëhet urgjente.
“Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese. Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare”, shkroi Kurti.
Më tej, Kurti tha se SHBA-ja është aleati kryesor i Kosovës, partner i pazëvendësueshëm dhe mik special.
“Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. SHBA-ja është superfuqia demokratike që duhet mbështetur”, shtoi Kurti.
Reagimi i Kurtit vjen pasi SHBA-ja ka hedhur gjashtë bomba shkatërruese bunkerësh në objektin bërthamor Fordow në Iran dhe ka kryer dhjetëra sulme me raketa nga nëndetëset në dy lokacione të tjera, duke shënjestruar programin bërthamor të Iranit.