Kurti dhe Konjufca presin në takim deputetët që votuan kundër Xhaferit dhe politikanë opozitarë nga RMV

Kurti dhe Konjufca presin në takim deputetët që votuan kundër Xhaferit dhe politikanë opozitarë nga RMV

Sot në zyrën e tij, bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Kryeministri i Repulikës së Kosovës, Albin Kurti priti krerë politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut: Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i Komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes BESA e i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, dhe Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës, po ashtu deputet.

Në takim mori pjesë edhe këshilltari i kryeministrit, Bekim Qoku. Së bashku diskutuan për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas një komunikate shtypi nga Zyra e Kryeministrit, Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje.

“Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”.

“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhet në njoftim.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova