Kurthimi i Izraelit në emër të ndihmës për Gazën: Tableta narkotike në thesët e miellit

Zyra e Medias e qeverisë në Gaza ka njoftuar se në thesët e miellit të shpërndarë përmes “Fondacionit për Ndihmë Humanitare në Gaza”, që vepron nën mbikëqyrjen e SHBA-së dhe Izraelit, janë gjetur tableta narkotike. Në Rripin e Gazës, i cili është nën sulme intensive izraelite, është zbuluar një skandal i ri nën emrin e ndihmës humanitare.

NDIHMA E MBUSHUR ME DROGË

Sipas deklaratës nga Zyra e Medias në Gaza, në thesët e miellit të shpërndarë nga qendrat e ndihmës të mbështetura nga SHBA dhe Izraeli, janë gjetur tableta narkotike.

Të paktën katër persona raportuan praninë e një substance të fuqishme narkotike të quajtur “Oksikodon” në këto thesë ndihme.

Vendosja e tabletave narkotike brenda thesëve të miellit është cilësuar si një “krim i neveritshëm që synon shëndetin e civilëve dhe strukturën shoqërore”.

Edhe më shqetësuese është mundësia që disa prej këtyre substancave narkotike të jenë përzier dhe bluar brenda vetë miellit.

Në deklaratë thuhet se Izraeli po përpiqet të përhapë varësinë ndaj drogës te populli palestinez duke futur lëndë narkotike në Gaza përmes ndihmave humanitare. Përdorimi i këtyre substancave si “mjet i butë i luftës së ndyrë” përbën krim lufte dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

“KURTHET E VDEKJES” DUHET TË NDALEN

Në deklaratë u bëhet thirrje qytetarëve që shkojnë në këto qendra ndihme të jenë të kujdesshëm, të kontrollojnë produktet ushqimore që marrin dhe të raportojnë menjëherë çdo substancë të dyshimtë. Po ashtu, familjeve u kërkohet të ndërgjegjësojnë fëmijët për rrezikun e drogës dhe të shmangin shkuarjen në këto qendra.

Komunitetit ndërkombëtar iu bë thirrje që të ndalë veprimtarinë e këtyre “kurtheve të vdekjes” që po përdoren si mjet i gjenocidit të qëllimshëm ku çdo ditë vriten qindra njerëz.

QENDRAT E NDIHMAVE NË GAZË JANË SHNDËRRUAR NË VENDE VDEKJEJE

Në një deklaratë të mëparshme më 25 qershor, qeveria në Gaza njoftoi se që nga 27 maji, në këto qendra ndihmash kanë humbur jetën 549 palestinezë dhe janë plagosur 4,066 të tjerë.

Izraeli, që nga 27 maji, ka ndërprerë bashkëpunimin me OKB-në dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës dhe ka aktivizuar “Fondacionin për Ndihmë Humanitare në Gaza” të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli për shpërndarjen e ndihmave të ashtuquajtura humanitare.

Por kjo strukturë nuk njihet nga OKB-ja dhe është refuzuar nga grupet palestineze. Hamasi e ka cilësuar këtë sistem si “kurthe vdekjeje”.

Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbajtur të mbyllura të gjitha pikat kufitare tokësore që të çojnë në Gazë. Ndërkohë që qindra kamionë me ndihma janë penguar të hyjnë, vetëm një numër i kufizuar automjetesh lejohen të kalojnë nga pika kufitare Kerem Abu Salim.

Ndërkohë që Gazës i nevojiten të paktën 500 kamionë ndihmash çdo ditë.

Në Gazë, e cila ndodhet nën sulm të pandërprerë që nga 7 tetori 2023, po zhvillohet një katastrofë e madhe humanitare si pasojë e bombardimeve intensive, urisë, shpërnguljeve të dhunshme dhe shkatërrimit të infrastrukturës.

Pavarësisht thirrjeve të opinionit ndërkombëtar dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për armëpushim, sulmet e Izraelit që kanë marrë përmasa gjenocidale vazhdojnë pa ndërprerje.

Kategoritë
BotaLajme