Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, ka deklaruar sot se është i kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve sepse serbët nga Kosova treguan unitet dhe përkrahën listën “Serbia nuk duhet të ndalet” të presidentit serb Aleksandar Vucic.
Elek u krenua të hënën, siç pretendon, përkundër pengesave për qytetarët serbë të Kosovës për t¡ votuar në zgjedhjet e Serbisë nga autoritetet e Kosovës, procesi kaloi mirë.
“Më vjen mirë që dita e djeshme kaloi në një atmosferë paqësore dhe demokratike ku mund të votuam të gjithë, që në asnjë qendër votimi nuk pati probleme. Fatkeqësisht, më duhet të deklaroj se përkundër kërkesave drejtuar Bashkimit Evropian për të mundësuar kalimin më të lehtë në vendkalimin kufitar, asnjëra prej tyre nuk është respektuar. Qytetarët e kombësisë serbe si në Veri ashtu edhe në Jug të Ibrit duhej të udhëtonin shtatë, tetë orë ose më shumë për të votuar. Nuk e kemi të vështirë kur e dimë që votojmë dhe jemi me vendin tonë. Rezultatet e zgjedhjeve treguan se serbët nga Veriu i Kosovës janë gjithmonë me politikën e Aleksandër Vuçiqit, ata treguan se Serbia nuk duhet të qëndrojë në vend, se i besojnë presidentit Vuçiq dhe nuk u befasova aspak nga ato rezultate, duke pasur parasysh se kishte sondazhe që i kemi bërë edhe ne këtu dhe kanë treguar se Aleksandar Vuçiq dhe lista “Serbia nuk duhet të ndalet” do të fitojë bindshëm”, tha Eleku.
Lista e presidentit serb Aleksandar Vucic, ka siguruar e vetme shumicën parlamentare në kuvendin serb me së paku 127 mandate nga 250. Në garën tjetër që konsiderohet kyçe, atë në Beograd, ka më shumë vota por jo edhe shumicën për të qeverisur sipas exit poll të para. Opozita serbe ka refuzuar të pranojë rezultatet e zgjedhjeve në Beograd me pretendimin se ka pasur shumë parregullsi në procesin zgjedhor dhe të hënën pasdite do të protestojnë para komisionit lokal zgjedhor në Boegrad.











