Kryeministri britanik Starmer planifikon zhvendosjen e migrantëve në Kosovë dhe rajon, MI6 paralajmëron për rrezikun nga shërbimet ruse

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, po shqyrton planet për deportimin e migrantëve në të ashtuquajturat “qendra kthimi” në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht paralajmërimeve nga shërbimi sekret britanik MI6 se këto zona mund të shfrytëzohen nga shërbimet ruse të inteligjencës.

Sipas mediave britanike, MI6 ka dhënë udhëzime të qarta të sigurisë se rajoni nuk është i përshtatshëm për programe të tilla për shkak të afërsisë me sferën e ndikimit rus.

Paralajmërimi përfshin vlerësime se krijimi i infrastrukturës shtetërore të ndjeshme në një zonë nën ndikimin e Kremlinit mund të krijojë mundësi për infiltrime dhe veprimtari të agjentëve rusë. Po ashtu, vlerësohet se migrantët e dërguar në rajon mund të bëhen objekt manipulimi apo shënjestra nga regjimi i Putinit.

Gjatë këtij muaji, Starmer konfirmoi raportet se qeveria po negocion me “disa vende” për krijimin e qendrave të kthimit të migrantëve.

Në listën e shkurtuar prej rreth nëntë shtetesh të konsideruara për pranimin e kërkesave të refuzuara për azil janë përfshirë: Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina. Shqipëria  ishte fillimisht pjesë e listës, por Kryeministri Edi Rama e përjashtoi nga kjo mundësi këtë muaj.

Një përpjekje e dytë

Kjo nuk është hera e parë që një plan i tillë merr jetë. Në vitin 2022, qeveria konservatore britanike u përpoq të implementonte një projekt të ngjashëm sipas modelit të Ruandës, por MI6 e bllokoi për shkak të shqetësimeve të ngjashme. Në atë kohë, edhe Shqipëria dhe Moldavia ishin në listë.

Burime të pavarura të sigurisë në Britani raportojnë se shqetësime të ngjashme janë shprehur edhe për planin aktual të Starmer-it.

Një zyrtar shtetëror i njohur me raportin e shërbimeve të sigurisë tha:“Na është tërhequr vëmendja se do të zhvendosnim njerëz dhe infrastrukturë të ndjeshme drejt një zone të kontrolluar nga ndikimi rus. MI6 ka paralajmëruar se agjentë rusë dhe të lidhur me Kremlinin mund të depërtojnë në sistemet tona. Do të ishte si të zhvendosnim pjesë të interesit kombëtar britanik në një zonë ku Rusia ka më shumë ndikim se kudo tjetër në botë.”

Ndikimi rus në rajon

Sipas burimeve anonime të mediave britanike, MI6 ka shqetësime për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të historisë së tyre si pjesë e ish-Jugosllavisë komuniste.

“Shqetësimet janë të niveleve të ndryshme. Serbia paraqet rrezikun më të madh, por edhe shtetet e tjera mbartin rreziqe të caktuara. Rajoni është nën ndikim të qartë rus. Rusia ka qindra mënyra për të ndikuar në vendimmarrje – përmes teknologjisë, korrupsionit, politikanëve pro-rusë dhe kanaleve të tjera të fshehta.”

Veçanërisht përmendet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si aleat i ngushtë i Putinit, i cili gjatë vitit të kaluar ka udhëtuar disa herë në Moskë dhe ka marrë pjesë në paradën ushtarake të Ditës së Fitores në maj.

Një tjetër shqetësim është edhe lëvizja e lirë e shtetasve rusë brenda dhe jashtë Serbisë, si dhe raportimet për qarkullim të pakontrolluar të armëve ruse në territorin serb.

Cak deri në vjeshtën e vitit 2025

Sipas zyrës së kryeministrit në Downing Street, synohet që deri në vjeshtën e vitit 2025 – kur Britania do të presë samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Londër – të bëhet publike lista e shteteve pritëse të qendrave të kthimit të migrantëve.

Kategoritë
BotaLajme