Kosovë, shënohet 100 vjetori i themelimit të Republikës së Türkiyes

Ambasada e Türkiyes në Prishtinë ka organizuar pritje zyrtare me rastin e shënimit të 100 vjetorit të themelimit të Republikës së Türkiyes, raporton Anadolu.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin kryeministri Albin Kurti, ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, ministri i Zhvillimit Rajonal dhe njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Fikrim Damka, si dhe ministra, deputetë, kryetarë komunash, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të institucioneve turke, përfaqësues fetarë dhe shumë mysafirë tjerë.

Ambasadori Angılı, duke falënderuar mysafirët në nderim të Ditës së Republikës së Türkiyes, tha se Kosova ka ndër shoqëritë më demokratike dhe multietnike në Ballkan.

Ai tha se është i lumtur që në Kosovë kontribuon edhe komuniteti turk në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.

“Republika moderne e Türkiyes është e bazuar në ide të thjeshtë. Mustafa Kemal Ataturku e ka shpjeguar këtë ide si në vijim: Sovraniteti dhe fuqia u përkasin njerëzve. Këto fjalë janë të shkruara në murin e Parlamentit të Türkiyes. Ne besojmë se kombi ynë ka të drejtën të përcaktojë fatin e vet”, theksoi Angılı.

Angılı lavdëroi forcat policore të Kosovës, për të cilat tha se më 24 shtator në sulmin terrorist ndaj Kosovës forcat treguan fuqinë dhe profesionalizmin e tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rrugëtimi 100 vjeçar i Türkiyes është vizion i Ataturkut nën lidershipin e të cilit u vunë themelet e demokracisë turke.

Kurti tha se Republika e Kosovës dhe Republika e Türkiyes ndajnë një bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha, derisa përmendi emra nga gjeneratat e mëhershme si Sami Frashërin, Ali Sami Frashërin, Abedin Gina si disa prej shqiptarëve të njohur me veprimtaritë e tyre në Türkiye.

“Në kohën kur siguria e vendit tonë është rrezikuar nga kërcënimet e Serbisë, bashkëpunimi ynë me Türkiyen në fushën e mbrojtjes u bë edhe më i rëndësishëm. Në veçanti, ne i jemi mirënjohës Türkiyes për furnizimin e ushtrisë kosovare me dronët Bayraktar”, theksoi Kurti.

Tutje, Kurti tha se komuniteti turk në Kosovë dhe komuniteti shqiptar në Türkiye kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lidhjen e dy shteteve.

Më 29 tetor 1923, themeluesi i vendit Mustafa Kemal Ataturk zyrtarisht shpalli emrin e kombit dhe shpalli statusin e vendit si republikë. Më pas u zhvillua një votim në Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe Ataturku, u zgjodh presidenti i parë i Republikës së Türkiyes me votim unanim. Që atëherë, Türkiye feston Ditën e Republikës më 29 tetor çdo vit.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi