Kosovarët nga 1 janari ia mësyjnë Evropës, nga AAC flasin për mungesën e udhëzimeve në gjuhën shqipe në aeroplanët që aterojnë në Kosovë

Personat të cilët udhëtojnë me aeroplan, jo gjithmonë kanë informacione lidhur me atë se si duhet të veprojnë në situata emergjente gjatë udhëtimit. Kjo për shkak se udhëzimet e dhëna nga ekuipazhi i kabinës, jo gjithmonë janë në gjuhët zyrtare të shtetit prej nga udhëtojnë dhe anasjelltas. Në këtë rast në mungesë të sqarimeve në gjuhën shqipe, qytetarët e Republikës së Kosovës, sidomos të moshuarit dhe ata që udhëtojnë për herë të parë përmes transportit ajror, shpesh hasin në vështirësi për t’i kuptuar udhëzimet e dhëna nga ekuipazhi, raporton Gazeta Sinjali.

Lidhur me këtë ka pasur shumë ankesa ndër vite nga pasagjerët të cilët udhëtojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ për në shtetet perëndimore, se gjatë udhëtimit mungojnë udhëzimet në gjuhën shqipe.

E, kjo shkakton vështirësi për ta, sidomos për personat që janë në moshë më të shtyrë dhe udhëtojnë për vizita familjare në Evropë dhe më tej.

Lidhur me këtë, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në Autoritetin e Aviacionit Civil për të marrë vesh se çfarë masash janë ndërmarrë për të siguruar informacionin dhe komunikimin e qartë për udhëzimet në gjuhën shqipe në aeroplanët që udhëtojnë për në Kosovë dhe anasjelltas.

Sipas AAC-së, një praktikë e tillë zakonisht aplikohet te kompanitë ajrore shtetërore që fluturojnë nga shteti i origjinës dhe kanë pasagjerë kryesisht nga shteti përkatës.

Në rastin e Kosovës, ata thonë se kanë tentuar ta rregullojnë këtë fushë përmes një urdhërese administrative në vitin 2019, por kjo ishte shfuqizuar në vitin 2021 pas raportit të Komisionit Evropian, i nxjerrë pas një vizite në Kosovë.

Megjithatë, edhe në rastin e Kosovës ku nuk ka operator ajror shtetëror, siç keni kërkuar sqarim lidhur mungesën e udhëzimeve në gjuhën shqipe në aeroplanët të cilët aterojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, ju informojmë se AAC ka tentuar të rregullojë këtë fushë përmes një urdhërese administrative në vitin 2019 (UA 02/2019), mirëpo në një vizitë vlerësuese që i është bërë vendit tonë nga Drejtoria për transport dhe lëvizje e Komisionit Evropian për nivelin e zbatimit të Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA) në Republikën e Kosovës, raporti nga kjo vizitë ka theksuar se Urdhëresa Administrative ka vendos rregulla dhe procedura shtesë të sigurisë mbi tranportin ajror, të cilat janë përtej standardeve të kërkuara ndërkombëtare dhe atyre të BE-së.Si rezultat AAC e ka shfuqizuar këtë Urdhëresë Administrative në vitin 2021”, thuhet në përgjigjen e AAC-së.

Lidhur me këtë çështje, Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian [EASA], ka shpjeguar se rregullorja obligon operatorin ajror të sigurojë që informimet dhe demonstrimet në lidhje me sigurinë t’u ofrohen pasagjerëve në një formë që lehtëson zbatimin e procedurave të zbatueshme në rast emergjence dhe që pasagjerët të pajisen me një kartë informuese sigurie në të cilën udhëzimet në formë figurative tregojnë funksionimin e pajisjeve emergjente dhe daljet që mund të përdoren nga pasagjerët.

Sipas EASA-s, është përgjegjësi e operatorit të zgjedh gjuhët që do të përdoren në fluturimet e tyre, e të cilat mund të ndryshojnë në varësi të destinacionit ose profilit të njohur të pasagjerit.

Kujtojmë se që nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit kosovarë më në fund do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Kjo pritet të rris edhe fluksin e personave të cilët do të udhëtojnë nga Kosova për në shtetet e Bashkimit Evropian, qoftë për vizita familjare, turistike apo qëllime tjera.

ANP ‘Adem Jashari’ ka bërë përgatitjet për fluksin e madh të Pudhëtimeve, përfshirë investimin në infrastrukturë, ku përfshihet zgjerimi i terminalit të aeroportit, katër hyrje-dalje të reja dhe rritja e numrit të personelit.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës po vazhdon fushatën për informimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi