Në takimin e presidentes Osmani dhe kryeparlamentarit hungarez Kover në Budapest, është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror në përfitim të qytetarëve të të dyja vendeve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Hungari, është pritur në takim nga kryetari i Parlamentit të Hungarisë, Laszlo Kover.
Siç njofton Zyra e Presidentes, në takimin e presidentes Osmani dhe kryeparlamentarit hungarez Kover në Budapest, është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror në përfitim të qytetarëve të të dyja vendeve.
“Kosova është e vendosur që të çelë kapituj të ri të bashkëpunimit me Hungarinë dhe në të njëjtën kohë, t’i ruajë raportet historike dhe t’i fuqizojë lidhjet në mes popujve tanë”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani gjatë ditës së djeshme është pritur në takim edhe nga presidenti hungarez, Tamas Sulyok, me ceremoni ushtarake.
Në kuadër të agjendës, presidentja Osmani po ashtu do t’i drejtohet studentëve dhe profesorëve të Universitetit “Eotvos Lorand” me një ligjëratë dhe diskutim me temën “Kosova dhe e ardhmja e saj evropiane: Bashkëpunimi rajonal, angazhimi global dhe rruga përpara”, ku do të shpalosë prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, përfshirë integrimin euroatlantik.
Po ashtu, në kuadër të kësaj vizite, presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me oda ekonomike në Hungari.